34 vjet pas ribashkimit të Gjermanisë, Berlini planifikon të nderojë kontributin e emigrantëve të viteve 50-të e 60-të në ish-Berlinin Perëndimor e Lindor, thotë DW.
Në lagjen e njohur të kryeqytetit gjerman, Kreuzberg e cila është e lidhur ngushtë me emigrantët turq dhe pasardhësit e tyre – po merr formë projekti për ngritjen e një monumenti në nderim të të ashtuquajturve “punëtorë mysafirë”, veçanërisht atyre të brezit të parë.
Një tjetër memorial i vecantë parashikohet gjithashtu për ish-“punëtorët me kontratë” nga Vietnami dhe “shtetet vëllezër” në kohën e Berlinit Lindor komunist.
Iniciatore e projektit është politikanja lokale socialdemokrate, Sevim Aydin, anëtare e Senatit të Berlinit. Prindërit e saj ishin në mesin e emigrantëve të brezit të parë që shkuan në Gjermani. Aydin thotë, se kontributi i emigrantëve për suksesin e Gjermanisë nuk është njohur sa duhet.
“Emigrantët përshkruhen shpesh negativisht. Mendoj se është koha për të treguar gjërat pozitive, edhe për brezin e parë”, thotë ajo për DW. “Shumë nga ata nuk dinin të flisnin gjermanisht kur erdhën, por ata punuan, rritën familje dhe kontribuan që ky vend të funksionojë. Unë dua që zëri i këtyre njerëzve të dëgjohet”. Më shumë se 25% e 83 milionë banorëve të Gjermanisë kanë prejardhje emigrante, sipas Zyrës Federale të Statistikave.
Tek fëmijët, kjo shifër rritet në 40%. Në Gjermani llogaritet të ketë mbi 1 milion monumente, megjithatë shumë pak prej tyre pasqyrojnë historinë multikulturore të vendit. Frankfurti ishte qyteti i parë që hodhi idenë e nderimit të punës së “punëtorëve mysafirë” në vitin 2004, por rezultatet konkrete për monumentin nuk priten para viteve 2030./TopChannel