Një debat është zhvilluar edhe sot ndërmjet kryetarit të grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhit me kryetaren e parlamentit, Lindita Nikollën, në Konferencën e Kryetarëve.
Bardhi ka insistuar që Nikolla të përfshijë në agjendën e Kuvendit, kërkesën e PD për të thirrur kryeministrin në interpelancë për presionin që ka bërë ndaj një medieje ndërkombëtare si RAI3, e cila denoncoi aferat e tij korruptive në emisionin "(Hot)Sport albanese"
Bardhi i tha: “Nuk e kuptoj pse në draft-kalendar nuk është përfshirë kërkesa e grupit të PD për interpelancë urgjente. Shpresoj që të jetë gabim teknik pasi ndryshe do të ishte një shkelje e rëndë kushtetuese. Sa herë ka kërkesa të tilla, Kuvendi shmanget dhe mjaftohet duke lexuar statuset e kryeministrit në Twitter. Kërkoj që të shtohet në kalendar!”
Nikolla: “Shqetësimi që keni paraqitur ju në interpelancë, pra objekti, nuk ka lidhje me procedurën që do të duhet të thirret një interpelancë, prandaj dhe nuk përfshihet.”
Bardhi: “Unë e kuptoj se ju recitoni diçka që ju kanë shkruar. Në bazë të Kushtetutës, unë kërkoj që kryeministri të vijë dhe të jap sqarime për një ndërhyrje skandaloze që ka bërë si kryeministër ndaj një medieje ndërkombëtare,” theksoi ai./Syri.Net