Në Bashkinë e Lezhës është shpallur fitues Pjerin Ndreu kundrejt kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Pashk Gjonit.

 

Ndreu e konsideroi këtë fitore si një vlerësim nga banorët lezhjanë, ku ai ka fituar me mbi 52% të votave.

 

Ai thotë se e ka pritur fitoren dhe deklaron se ky rezultat do të thotë më shumë përgjegjësi dhe më shumë projekte për Lezhën.

 

“Është vlerësim që më jep komuniteti lezhjan dhe kemi dhënë mesazhe të drejtpërdrejta se ne dimë të punojmë, dimë të respektojmë njerëzit, dimë të zgjidhim problemet e komunitetit. Ky 4-vjeçar ka qenë shumë i ngarkuar për arsye të atyre që ne kemi thënë, për arsye të situatës që ne kemi gjetur bashkinë, në situatë të vështirë financiare. E kemi merituar këtë rezultat që morëm sot.

 

Njerëzit e quajnë Lezhën çuditërisht bastion të djathtë, kjo është teori e gabuar tashmë. Njerëzit nuk kanë nerva të dëgjojë askënd se kujt partie i përket. Ne do t’i japim Lezhës atë energji që Lezha nuk e ka menduar kurrë. Ky rezultat na frymëzon realisht na bën që të ndihemi më të përgjegjshëm dhe më të kujdesshëm për të realizuar objektivat. Unë kam pritur fitore, kam menduar se do fitoj por nuk kam menduar ndonjëherë për ndonjë rezultat X. Mendoj se ka qenë një ndihmë edhe taktika e gabuar e kundërshtarit”, tha Ndreu.