Një ngjarje e rëndë u zbulua në Britaninë e Madhe ku një 38-vjeçare, e cila vuante nga probleme të shëndetit mendor, u gjet e pajetë në një banesë sociale. Laura Winham u gjet nga familjarët e saj në muajin maj të vitit 2021, por vetëm tani vendosën që ta bëjnë publike si çështje.

Situata bëhet më e rëndë, ku sipas mediave britanike, rezulton se 38-vjeçarja kishte ndërruar jetë që në vitin 2017 në apartamentin e saj. Winham vuante nga skizofrenia, dhe në momentin kur u gjet në banesë, kishte shkruar në kalendarin e saj të varur në mur, frazën “kam nevojë për ndihmë”.

 

Për 4 vite me radhë, asnjë punonjës i shërbimit social nuk u interesua për gjendjen e saj shëndetësore. 38-vjeçarja, i kishte kërkuar familjes së vetë që të mos e kontaktonte asnjëherë, pasi në të kundërt do të vriste veten.

 

Pavarësisht se ajo kishte ndërruar jetë, qiraja e saj paguhej automatikisht përmes programit të shërbimit social.

 

Në muajin maj të vitit 2021, vëllai i Ëinham njoftoi policinë pasi prej kohësh nuk kishin marrë asnjë informacion nga shërbimi social. Ata kërkuan që të hynin me forcë në apartament, teksa gjetën eshtrat e 38-vjeçares.

 

Familja e saj kërkon hetime ndaj shërbimit social, pasi sipas tyre, nuk u interesuan kurrë për 38-vjeçaren.

 

 

“Ne shpresonim që ajo do të përmirësohej nëse do të merrte një trajtim personal. Shpresonim që një ditë të flisnim sërish me të. Nuk e mendonim kurrë që mund ta gjenim të vdekur në atë mënyrë, pa e ditur askush” – u shpreh motra e saj, Nicky.