Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë uroi sot Franc Zylyftarin, Adriano Lleshin dhe llir Dakën për udhëheqjen e Shqipërisë në vendin e parë në konkursin Global Cyber Drill, ku morën pjesë 113 shtete.
“Shtetet e Bashkuara janë krenare që mbështesin përpjekjet e Shqipërisë për sigurinë kibernetike dhe ndihmojnë në forcimin e aftësive të saj të mbrojtjes kibernetike”, thuhet në reagimin e ambasadës amerikane.
Shqipëria triumfoi në Global CyberDrill 2024, eventin më të madh që organizohet çdo vit nga komuniteti global, në menaxhimin e adresimin e kërcënimeve kibernetike.
Eventi i organizuar nga Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacionit (ITU) dhe Këshilli Kombëtar i Sigurisë Kibernetike të Emirateve të Bashkuara Arabe, hyri në librin Guiness, për shkak të numrit të lartë të vendeve pjesëmarrëse.
Me qëllim bashkimin e Autoriteteve dhe Agjencive Kombëtare të Sigurisë Kibernetike nga e gjithë bota, eventi konkurrues shërben për të vlerësuar performancën e secilit ekip kombëtar në nivel global.
Eventi pati në fokus simulimin e skenarëve realë të sulmeve kibernetike për të testuar ekipet kombëtare duke vlerësuar performancën e tyre në bazë të shpejtësisë dhe reagimit ndaj kërcënimeve kibernetike./ata