Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi deklaroi sot se “kërkojmë që zgjedhësit shqiptarë të kenë të drejtën e listës së hapur të partive politike, të zgjedhin ata cilën parti të koalicionit të votojnë dhe cilët kandidatë të partive të koalicionit do të kalojnë dhe do të futen në parlamentin e Shqipërisë si deputetë”.
Në një prononcim për mediet pas mbledhjes së grupit të dialogut, Bylykbashi tha se “po kërkojmë diçka që është dakordësuar që nga viti 2003 është mbështetur në dy reforma zgjedhore 2008 dhe 2012 dhe në 2020 dhe me deklaratat e ndërkombëtareve”.
“E gjithë kjo tregon keqbesimin e Edi Ramës dhe vullnetin e tij për të fituar në tryezë zgjedhjet duke deformuar votat e shqiptarëve”, tha Bylykbashi.
Bylykbashi u shpreh se “duhet të kthehemi te dakordësia e “5 qershorit”. Rama e di që koalicioni kthen në pushtet opozitën, prandaj po mban peng reformën që të mbajë pushtetin me dhunë. Koalicionet janë çështja thelbësore e reformës, presim që OSBE/ODIHR të shprehet për çështjen e koalicioneve”.
Ai shtoi se “PS nuk ra dakord me propozimin tonë për koalicionet”.
Bylykbashi u shpreh se “çështje tjetër që presim të adresojnë është edhe goditja e shitblerjes së votës”.
“Të gjitha këto janë të refuzuara deri më tani. Ne kërkojmë që kjo reformë te jetë e plotë dhe e drejtë”, u shpreh Bylykbashi./ata