Fermerët në të gjithë vendin po zgjerojnë sipërfaqet e tokave të mbjella me bimë mjekësore dhe aromatike, nga eksporti i të cilave sigurojnë të ardhura ekonomike më të larta.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga fushat me lavandër në Kushovë të Gramshit.
Në Shqipëri ka mbi 7 mijë lloje bimësh, të cilat formojnë thuajse 32 % të të gjithë florës së Evropës.
Më 2022, Shqipëria ka eksportuar mbi 15.000 tonë bimë mjekësore dhe aromatike, me vlerë mbi 50 milionë euro.
Produktet më të rëndësishme të eksportit janë sherbela, rigoni, trumza, livando, etj. Është regjistruar një fluks i vogël, por në rritje i eksportit të vajrave esencialë, si edhe një rritje e kapacitetit përpunues në vend.
Baza e prodhimit përbëhet kryesisht nga BMA-të e egra që gjenden në të gjithë vendin.
Biodiversiteti i pasur në Shqipëri përfaqëson një potencial të rëndësishëm për zhvillimin e sektorit të BMA-ve.
Më shumë se, 400 specie janë identifikuar si BMA të florës shqiptare, nga të cilat më shumë se 200 specie mblidhen dhe tregtohen.
BMA-të janë një sektor i rëndësishëm i ekonomisë rurale. Sondazhet tregojnë se, në disa zona rurale pothuajse të gjitha familjet marrin një pjesë të konsiderueshme të të ardhurave të tyre nga grumbullimi i BMA-ve./ata