Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj u shpreh e gatshme për një takim mes fermerëve dhe grumbulluesve për adresimin e problemeve në sektorin e bimëve mjekësore në Malësinë e Madhe.

Duke marrë fjalën në seancën plenare të Kuvendit, në përgjigje të kërkesës së parashtruar nga deputeti i opozitës Ramadan Likaj, për zgjidhjen e problemit të mallit stok të bimëve mjekësore në Malësinë e Madhe, Denaj tha se “jam dakord që ne ta bëjmë takimin, sidomos në Malësin e Madhe ku keni ngritur shqetësimin për mallin stok”.

“Unë e kam marrë këtë shqetësim edhe nga takimet e mëparshme por absolutisht ne e konkretizojmë takimin me një ftesë konkrete dhe datë konkrete”, theksoi ministrja.
Sipas saj, në diskutimin mbi mbarëvatjen e kontratave mes fermerëve dhe grumbulluesve, ka një problem real që duhet të marrë një drejtim duke përfshirë edhe këta aktorë së bashku si pjesë e tryezëes.

“Jam dakord që këtë ta bëjmë të plotë duke përfshirë dhe grumbullusit që të adresojmë edhe cështjet e tyre në këtë diskutim”, tha ajo./ata