Kuvendi zhvilloi sot një takim ku u diskutua mbi luftën ndaj dhunës digjitale me bazë gjinore.
Petra Burcher, drejtuese e Agjencisë Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar në Shqipëri dhe njëkohësisht zv/ambasadore e Ambasadës suedeze në Shqipëri, u shpreh në fjalën e saj në këtë takim se, “Suedia ka mbështetur në mënyrë të vazhdueshme Shqipërinë në punën e saj për t’i dhënë fund dhunës me bazë gjinore dhe jemi këtu në kuadër të bashkëpunimit që kemi për dhënien fund të dhunës kundër grave”.
Burcher u shpreh se Suedia ka mbështetur institucionet, bashkitë, organizatat e grave, gazetarët.
Ajo nënvizoi se, “Shqipëria ka bërë progres fantastik në këtë pikëpamje”.
“Në verë do të bëj 6 vjet që jam këtu dhe realisht duhet t’ju përgëzoj”, tha Burcher, e cila shtoi se, “duhet të përgëzoni veten për ecurinë dhe progresin e bërë deri tani”.
Por, shtoi ajo, “në të njëjtën kohë nuk mund të ndalojmë. Kjo është një punë e vazhdueshme që duhet të vijojë”.
Burcher theksoi se, “dhuna ndaj grave nuk është çështje vetëm e Shqipërisë, është çështje dhe prirje botërore dhe evropiane dhe është tragjike realisht”.
Burcher gjithashtu përgëzoi Etilda Gjonajn, Raportere e Përgjithshme për Dhunën ndaj Grave në Këshillin e Evropës, për punën e kryer në luftën ndaj dhunës me bazë gjinore duke mbledhur dhe ndërgjegjësuar aktorë të ndryshëm të shoqërisë.
Burcher shtoi se, era digjitale ka anët e saj pozitive, por ama ka shumë risqe që lidhen me të, me platformat sociale, rrjetet sociale të komunikimit.
“Paktetat ligjore dhe zbatimi i tyre janë aspekt shumë i rëndësishëm i të gjithë kësaj”, tha ajo./ata