Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj bëri të ditur sot se javës që vjen do të publikohet për konsultim publik Strategjia për Sipërmarrjet Inovative, që ndër të tjera synon edhe ristrukturimin e gjithë ekosistemit të startup-eve.
Në ceremoninë për çeljen e thirrjes për mbështetjen financiare të startup-eve, Ibrahimaj tha se strategjia mbështetet në tre shtylla.
“Strategjia prek tri shtylla kryesore: sipërmarrjen inovative, zhvillimin e sektorëve dhe gjithëpërfshirjen. Qeveria shqiptare po punon edhe për një strategji të sipërmarrjeve të specializuara, megjithatë faza e identifikimit të sektorëve që kanë nevojë për inovacion tashmë ka mbaruar dhe janë pikërisht këto sektorë që synohen të mbështeten, jo vetëm nëpërmjet fondeve që do të japë herë pas here qeveria, por edhe përmes instrumenteve të tjera që do të ndërtojmë, me qëllim që inovacioni të shkojë aty ku ka më shumë nevojë”, tha ajo.
Ibrahimi nënvizoi se për këtë qëllim do të punohet për më shumë ndërveprim mes startup-eve dhe të rinjve.
“Ne jemi të përkushtuar të krijojmë të gjitha kushtet e nevojshme që rinia shqiptare t’i shfrytëzojë mundësitë dhe potencialin që ka. Ne nuk mund ta zhvillojmë këtë ekosistem vetëm në Tiranë, ku sigurisht potencialet dhe mundësitë janë më të mëdha, por duam ta nxisim edhe në qytete të tjera të Shqipërisë”, shtoi ajo./ata