Kryeministri Edi Rama inspektoi sot punimet në kantierin e rrugës së Dukagjinit, një aks shumë i rëndësishëm për kompletimin e rrjetit rrugor të Alpeve, në funksion të zhvillimit të turizmit.
I shoqëruar nga ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali dhe kryetari i bashkisë Shkodër, Benet Beci, Kryeministri Rama ndoqi nga afër ecurinë e punimeve në këtë aks që pritet të përfundojë deri në fund të vitit.
“Rruga e Dukagjinit është një ndër akset më të shumëpritur dhe të shumëpremtuar nga të gjithë sundimtarët e vjetër të Shkodrës, i cili falë kryebashkiakut të ndryshimit dhe mbështetjes pa kushte të qeverisë për Shkodrën e marrë peng 33 vjet me radhë, po merr formë për të lidhur krejt zonën e magjishme të Dukagjinit me Shkodrën”, u shpreh Rama.
Rama nënvizoi rëndësinë e këtij aksi, pasi mundëson rigjallërimin social dhe ekonomik të gjithë fshatrave përreth.
Po ashtu, kryeministri theksoi se kjo rrugë është pjesë e projektit “Rrugët e bardha”.
“Rrugët e bardha janë rrugë turistike në gjithë botën. Nuk është domosdoshmëri që të jenë asfalt, por në proces patjetër që duhen mirëmbajtur. Edhe asfaltin do t’ia hedhim. Austria, Zvicra, Spanja që janë edhe vende me borë dhe ngrica dhe kanë zona që i mbajnë vetëm kështu. Kuptohet me mirëmbajtje. Si fillim do të bëjmë rrugë të bardhë, pastaj do kalojmë edhe me asfalt”, tha Rama.
Beci u shpreh se pritet rritje e turizmi dhe histori tjetër zhvillimi për zonën. Sipas tij, “kjo rrugë është nga ndërhyrjet më të vështira teknike dhe do të ketë edhe vepra arti”.
“Erdhën turistët ngaqë u tërhoqët ju (opozita) nga rruga, se kishit zënë rrugën. Ju, partitë tuaja, tani as nuk i numëron dot, se çohesh në mëngjes të del tjetër, pastaj sheh që janë bërë bashkë, janë bërë shumë pra”, tha Rama./ata