Tregu i pasurive të paluajtshme është stabilizuar.

Banka e Shqipërisë në vrojtimin e publikuar sot bëri të ditur se, çmimet kanë pësuar rënie si në rang vendi ashtu edhe për kryeqytetin.

“Sipas indeksit Fischer, çmimi mesatar i banesave të shitura gjatë periudhës është ulur me 7.6% në krahasim me gjashtëmujorin e parë të vitit 2023. Indeksi i çmimeve për pronat e shitura në Tiranë regjistroi një rënie prej 10.1% ndaj periudhës paraardhëse, dhe vetëm pak më i lartë në krahasim me vlerën e një viti më parë. Në kryeqytet një banesë është shitur më shpejt se sa në qytete të tjera të vendit”, thuhet në raportin e BSH-së.

Gjatë gjashtëmujorit të dytë të viti 2023, rreth 26% të banesave të shitura janë raportuar të blera nga shtetas jorezidentë. Nga këta, rreth 2/3 rezultojnë shtetas të vendeve të BE-së. Po ashtu, rezulton se ka pasur një rënie të ndjeshme të numrit të banesave të pashitura.

Ndërkohë që e kundërta ka ndodhur me çmimin e qirave. Sipas Bankës së Shqipërisë qiratë kanë pësuar një shtrenjtim. Ndikim në këtë drejtim duket se  kanë dhënë edhe kërkesat e shtuara nga turistët për marrjen e ambienteve me qira sidomos në kryeqytet./ata