1 Maji është dita ndërkombëtare e punëtorëve. Pothuajse në të gjithë botën kjo ditë synon të kujtojë angazhimin e lëvizjeve sindikale për të kërkuar dhe siguruar të drejtat, liritë dhe kushtet e punës. Kjo ditë, ju referohet protestave të punëtorëve, për orar të punës 8 orë, për paga mesatare të garantuara, për pajisje mbrojtëse në vendin e punës.
Historia e 1 majit
1 Maji lidhet ngushtë me protestat e përgjakshme të dhjetëra mijëra punëtorëve të fabrikave të Çikagos në Amerikë, me 1 maj 1866, ku punëtorët kërkonin të drejtat e tyre në punë. Manifestimi masiv dhe madhështor u bë edhe një vit më vonë, në të njëjtin qytet më 1 maj 1867.
Në vitin 1886, një demonstratë e madhe ndodhi në Amerikë, ku punëtorët kërkonin tetë orë punë. Megjithatë, shpejt demonstrata doli jashtë kontrollit dhe në Çikago dhe shumë njerëz u lënduan. Ky incident u bë i njohur si Çështja Haymarket dhe shënoi fillimin e Ditës Ndërkombëtare të Punës.
Mbi 200 000 punëtorë, të mbledhur në sheshin qendror të Çikagos, do të nisnin grevat për të kërkuar të drejtat e tyre. Ndërkohë që gazetat do t’i vlerësonin ato si “absurde”. Vdekja e 7 policëve gjatë protestave, të nisura prej shumë ditësh, ishte shkaku i reagimit të Policisë së Çikagos ndaj lëvizjes së punëtorëve. Si pasojë e një bombe të hedhur nga forcat policore u vranë 8 udhëheqësit kryesorë të federatës së punëtorëve, duke e kthyer kështu majin në muajin e përkujtimit të përpjekjeve të punëtorëve për të fituar të drejtat e tyre.
Në vitin 1889, shumë parti socialiste në Evropë u mblodhën dhe vendosën të festojnë 1 majin si Ditën Ndërkombëtare të Punës.
Rëndësia e Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve
Kjo ditë na ndihmon të njohim kontributin e punëtorëve dhe klasës punëtore në zhvillimin e shoqërisë dhe të vendit. 1 maji gjithashtu i nxit punëtorët të mësojnë për të drejtat e tyre dhe të ‘luftojnë’ për kushte pune më të mira./Shqiptarja