Këshilli i Ministrave miratoi sot protokollin për ndërlidhjen e skemave të identifikimit, që lehtëson përfshirjen e qytetarëve në tregun e lirë të punës në Ballkanin Perëndimor.

Në konferencën për mediet pas mbledhjes së qeverisë, ministri i Brendshëm Taulant Balla, tha se, “qeveria ka miratuar vijimin e zbatimit të marrëveshjeve që kemi firmosur me vendet e Ballkanit Perëndimor, me fokusin e Ballkanit të Hapur”.

“Sot kemi miratuar protokollin për ndërlidhjen e skemave të identifikimit, në mënyrë që përmes një numri identifikimi të Ballkanit Perëndimor të gjithë qytetarët dhe të gjitha skemat e identifikimit të ndërlidhen me njëra-tjetrën, që lehtësojnë përfshirjen në tregun e punës për secilin prej vendeve firmëtare për qytetarët e vendeve tona”, tha ai.

Sipas Ballës, kjo do të forcojë zbatimin e marrëveshjes dhe do të rrisë integrimin e tregjeve të punës të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Balla bëri të ditur se, gjithashtu qeveria ka përgatitur një projektligj, i cili do t’i kalojë menjëherë Kuvendit për miratim me procedurë të përshpejtuar, për konferenca europiane të Interpolit, që do të mbahet në Tiranë.

“Siç e kemi njoftuar, në qershor do të mbahet në Tiranë Konferenca Europiane e Interpolit, që do të sjellë në Shqipëri drejtuesit më të lartë të ministrive të Brendshme të gjithë vendeve europiane”, tha ai.

Balla e cilësoi këtë “një moment të rëndësishëm për punën e mirë të Policisë në luftën kundër krimit”, teksa nënvizoi se ky takim do të nxisë bashkëpunimin shumë të mirë që Shqipëria ka me Interpolin./ata