Ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato, gjatë konferencës për shtyp në Europe House deklaroi se mbështet profesionalizmin e SPAK-ut dhe rëndësinë që ka puna që bën ky institucion.

I pyetur nga gazetarët për sulmet ndaj SPAK nga kreu i PL-së, Ilir Meta, ambasadori i BE tha se, mbështetja për sistemin e drejtësisë është e palëkundur dhe kjo nuk ka të bëjë me një rast apo një tjetër.

“Mesazhi është i njëjtë dhe i përhershëm. Po të shohim edhe progres-raportin e BE, ne i japim një përparësi shumë të madhe reformës në sistemin e drejtësisë. Mënyra se si ajo po funksionon tani, po tregon frytet e saj dhe ne duhet ta lejojmë që ajo të bëjë punën e vet”, deklaroi Gonzato.

Gjithashtu, Gonzato deklaroi se “nuk ka standard të dyfishta. Mbështetja për sistemin e drejtësisë është e palëkundur, por mesazhi është i njëjtë dhe i përhershëm. Ne i japim përparësi të madhe reformës në drejtësi dhe duhet ta lëmë të bëjë punën e vet”.

Ambasadori nuk komentoi paraqitjen në SPAK të kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj por nënvizoi mbështetjen ndaj SPAK.

“Ne do të vijojmë punën me Bashkinë e Tiranës sepse po bëjmë punë shumë të rëndësishme si transporti i gjelbër, do përurojmë dhe disa shkolla sepse kjo është pjesë e punë tonë. Jam këtu për të ndihmuar Shqipërinë dhe që qytetarët shqiptarë të bëhen shtetas të BE ky është objektivi im dhe jam i fokusuar në punën time”, theksoi ai.

Gonzato u shpreh se BE-ja ka besim te puna e SPAK. “Gjithmonë do të dëgjoni prej meje se unë mbështes profesionalizmin e SPAK dhe rëndësinë që ka puna e këtij institucioni. SPAK po bën punën e vetë. Kam besim të plotë te ata dhe ata kanë në dorë punën që po bëjnë”, deklaroi ai./ata