Në Greqi përfundoi edhe për këtë vit projekti “Ishujt”, përmes të cilit u është ardhur në ndihmë me shërbime konsullore qytetarëve shqiptarë në jetojnë e punojnë në ishujt grekë të Egjeut, Kretë e Rodos.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani bëri të ditur se 900 shërbime konsullore iu ofruan qytetarëve, gjatë muajve mars – prill, në bashkëpunim me autoritetet lokale greke, duke reduktuar kostot dhe distancat e largëta.

Hasani theksoi se “ky është i katërti vit radhazi i zbatimit të projektit ‘Ishujt’, për ofrimin e shërbimeve për pajisje me dokumente biometrikë për bashkatdhetarët tanë”.

 

“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme mbetet e angazhuar për të lehtësuar dhe përshpejtuar procedurat konsullore, për t’u ardhur në ndihmë dhe sa më pranë të gjithë qytetarëve shqiptarë kudo që ndodhen”, u shpreh ministri./OraNews