Plot 10 milionë euro i ka dhënë QSUT-ja subjektit privat “A.G.S” për shërbimin e lavanderisë, por pas fitimit të tenderit rregullat e lojës ndryshojnë dhe shërbimi nuk ofrohet sipas kushteve të kontratës.

Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, gjatë auditimit të kryer në ambientet e brendshme të lavanderisë ka rezultuar se dy barriera larëse profesionale nuk ishin në gjendje pune dhe ishin të magazinuara në një ambient brenda lavanderisë.

Subjekti “AGS” ka vazhduar i pa shqetësuar duke mos punuar më kapacitet të plotë, sepse, sipas KLSH-së, Drejtoria e Shërbimeve Mbështetëse pranë QSUT-së nuk ka kryer monitorim e kontratës.

Shkelja e kontratës vijon edhe me një tjetër fakt të konstatuar nga KLSH-ja, sipas këtij institucioni operatori ekonomik “A.G.S” duhet te disponojë 7 lloje thasësh për mbledhjen e materialeve të kontaminuara, por pas auditit rezultoi se përdorte vetëm dy lloje.

 

Kjo ka sjellë mungesën e ndarjes së materialeve me rreziqe të ndryshme, si materiale të kontaminuara, ose materiale me rrezik mikrobiologjik.

Sikur të mos mjaftonte mosrespektimi i kontratës, subjekti “AGS”, me administratore znj. Alma Tafani i ka sjellë dëm buxhetit të shtetit dhe QSUT-së, pasi ka deklaruar peshën me te madhe se ajo reale e materialeve që janë larë.

Më konkretisht, sipas KLSH-së, duke qenë se kësaj kompanie i është paguar një vlerë më të lartë se pesha reale i ka shkaktuar dëm QSUT-së vlerën 11,032,753.88 dhe duhet ta arkëtojë në Buxhetin e Shtetit këtë shumë të përfituar padrejtësisht brenda datës 31.03.2024.

Në lidhje më këto shkelje të konstatuara nga KLSH –ja, iu drejtuam me një kërkesë për informacion edhe subjektit AGS.

Në përgjigjen e saj administratorja Alma Tafani nuk e ka  pranuar faktin që dy makina larëse kanë qenë jashtë funksionit, ndërsa lidhje me kthimin e vlerës 11,032,753.88 lekë u shpreh se i ka kërkuar grupit të auditimit të kryejë përsëritjen e peshimit.

Edhe më herët në media janë publikuar problematika që mund të kenë kosto te  shëndeti i qytetarëve, pasi çarçafët e palarë të pacientëve janë transportuar me  furgonin e  firmës “Zepa Natyral”, e cila njihet për prodhimet e bulmetit./OraNews