GJKKO ka rrëzuar sërish kërkesën e ish-kryeministrit Sali Berisha dhe dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezit, duke i lënë sërish në ‘arrest shtëpie’.

Avokati Genc Gjokutaj, i cili po mbron liderin e opozitës, Sali Berisha, në procesin gjyqësor politik që po zhvillohet ndaj tij, ka dhënë një deklaratë për mediat pas rrëzimit të kërkesës për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj kreut të PD.

Deklarata e Gjokutajt

"Ne sot kishim dy objekte që ishin revokimi i masës së sigurimit dhe diligjenca dymujore, afërmend që gjykata vendosi si kërkoi prokuroria dhe u rrëzua kërkesa për revokimin e masës së sigurisë.

Ajo që është alarmante për një proces të rregullt ligjor është që diligjenca dymujore ishte kopje e dy muajve të para, i njëjti tekst me të njëjtat fakte dhe kishte një tekst që SPAK i kishte dërguar zyrës së mbrojtjes kundër zjarrit në lidhje me ndërtimet nëse kishin ose jo mbrojtje nga zjarri dhe kjo është një gjë, e cila do t'i japë një shtysë shumë të madhe hetimit.

Ky është një skandal më vete dhe ndërkohë që lideri i opozitës vazhdon arrestin shtëpiak pa u zhvilluar hetimet dhe pa u gjetur prova të reja.

Ne nuk kemi humbur në shkallët e gjykatave, por ne kemi dokumentuar shkeljet skandaloze të këtyre gjykatave në këtë proces"./OraNews