Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku inspektoi punimet për ndërtimin e Unazës së Madhe të Tiranës.
Balluku deklaroi se të gjitha kantieret e Unazës së Madhe do të jenë funksionale deri në fund të këtij viti.
“Unaza e madhe do të lidhet tërësisht dhe do të dorëzohet në fund të këtij viti”, deklaroi Balluku.
Sipas saj, një koordinim shumë i mirë nga ana a ARSH-së dhe inxhinierëve në terren është vendimtare për dorëzimin brenda afatit të deklaruar të kësaj vepre.
“Do të jetë një nga infrastrukturat më të rëndësishme për të gjithë vendin dhe jo vetëm për Tiranën, pasi do të qarkullojnë mjetet nga të gjitha autostradat e vendit”, tha Balluku.
Përgjatë loteve të Unazës së Madhe të Tiranës janë mbi 580 objekte të shpronësuara. Rreth 230 prej tyre janë kompensuar nga ARRSH-ja, pasi kanë pasur dokumentacionin ligjor, ndërsa pjesa tjetër është kompnesua nga bashkia e Tiranës me shtëpi banimi.
Balluku foli dhe për Qendrën e Monitorimit të Trafikut, e cila sipas saj nuk ka të bëjë vetëm me pjesën e sigurisë rrugore por ka të bëjë edhe me sigurinë kombëtare.
“Tashmë po përgatiten software-t që do t’u shërbejnë operatorëve të vendosur nga disa njësi si ARRSH, Urgjenca Kombëtare, Policia Rrugore, Emergjenca Civile etj, që do të jenë të informuara përgjatë gjithë kohës për lëvizjen e trafikut”, theksoi Balluku.
I gjithë projekti do të krijojë lehtësira të mëdha për kryeqytetin, që nga shkurtimi i distancave të lëvizjes me makinë, te reduktimi në masë i trafikut, e deri tek impakti i zhvillimit të bizneseve dhe rritjes së vlerës së pronës.
Unaza e Madhe e kryeqytetit përbën një segment rrugor të gjerë dhe me standarde, mbi 27 kilometra të gjatë.
Ndërtimi i Unazës lehtëson trafikun dhe shkurton distancat, sidomos për mjetet që kalojnë tranzit në Tiranë, apo lëvizin nga periferia jashtë Tiranës. Kjo unazë do të bëjë të mundur një shpërndarje të trafikut./ata