Ministria e Financave prezantoi sot Strategjinë e 3-të të Menaxhimit të Financave Publike, një dokument bazë i cili është punuar së bashku me ekspertët e Bashkimit Evropian dhe orienton politikat sa i përket reformave në menaxhimin e financave publike deri në vitin 2023.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin ministri i Financave, Ervin Mete, ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato, menaxheri i Bankës Botërore për Shqipërinë, Emanuel Salinas, kryetari i komisionit parlamentar për Ekonominë dhe Financat, Eduard Shalsi, përfaqësues të tjerë të MF dhe institucioneve të tjera shtetërore.
Në fjalën e tij, ministri i Financave Mete u shpreh se forcimi dhe konsolidimi i mëtejshëm i financave publike është një nga kërkesat themelore edhe sa i përket rrugëtimit të vendit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
“Reforma e Menaxhimit të Financave Publike synon të sigurojë një sistem financiar publik që promovon transparencën, llogaridhënien, disiplinën fiskale dhe efikasitetin në menaxhimin dhe përdorimin e burimeve publike për përmirësimin e ofrimit të shërbimeve dhe zhvillimin ekonomik”, tha Mete.
Ministri Mete theksoi faktin se në dekadën e fundit është shënuar progres i konsiderueshëm sa i përket reformave dhe masave të ndërmarra, gjatë zbatimit të dy strategjive të mëparshme të Menaxhimit të Financave Publike, ndërsa vendi ka ndërmarrë një sërë reformash të rëndësishme që kanë sjellë avancime domethënëse në procesin e integrimit evropian.
Në këtë kuadër, sipas ministrit, edhe Plani i Rritjes, i miratuar së fundmi nga Parlamenti Evropian, do të shërbejë si shtysë për vijimin e reformave, shoqëruar kjo edhe me mbështetjen financiare për përshpejtimin e tyre.
Duke iu referuar Strategjisë së re, Ministri Mete informoi se disa prej synimeve të saj janë: Përmirësimi i mëtejshëm i politikave fiskale dhe makroekonomike; avancimi në planifikimin e integruar strategjik dhe buxhetor, si edhe rritja e monitorimit dhe raportimit; rritja e mobilizimit të të ardhurave dhe përmirësimi i mëtejshëm i sistemeve për menaxhimin tatimor e doganor; forcimi i menaxhimit të zbatimit të buxhetit dhe implementimi i mëtejshëm i standardeve ndërkombëtare të kontabilitetit; avancimi i përputhshmërisë së sistemeve për Kontrollin e Brendshëm Financiar Publik në përputhje me praktikat e BE-së dhe integrimi i elementeve të ekonomisë së gjelbër, duke synuar procedura dhe praktika që nxisin shpenzime drejt aktiviteteve të gjelbra.
Gjatë fjalës së tij, Mete bëri një përmbledhje të disa prej zhvillimeve kryesore ekonomike në vend dhe theksoi se “Shqipëria po kalon një moment shumë të mirë ekonomik, treguesit kryesorë makroekonomikë kanë shënuar përmirësime të ndjeshme, ku borxhi publik në fund të vitit 2023 zbriti për herë të parë që nga viti 2011 nën nivelin 60% dhe pritet të vijojë trajektoren rënëse edhe gjatë viteve në vazhdim”.
Ndërsa, shtoi Mete, balanca primare u rikthye në pozitive dhe u shënua një përmirësim i ndjeshëm i bilancit të llogarisë korente, ndikuar kryesisht nga performanca shumë e mirë e sektorit të turizmit dhe shërbimeve të lidhura me këtë sektor, si edhe investimeve të huaja direkte që arritën nivelin më të lartë, prej 1.5 miliardë euro.
“Ka vijuar performanca e mirë e të ardhurave edhe në muajt e parë të vitit 2024, përgjatë të cilit projektojmë të arrijmë në mbi 28% të PBB-së sa i përket mbledhjes së të ardhurave. Gjithashtu, vitin e kaluar u shënua niveli më i ulët i detyrimeve të prapambetura prej rreth 1% në raport me shpenzimet, që nga momenti i nisjes së monitorimeve në vitin 2016, kjo edhe në kuadër të reformave të ndërmarra në zbatim të Strategjisë së Menaxhimit të Financave Publike”, tha Mete.
Strategjia e re për Menaxhimin e Financave Publike është publikuar për konsultim publik në fillim të muajit të kaluar dhe pritet të miratohet brenda 6-mujorit të parë të këtij viti, për të nisur më tej me fazën e implementimit të saj./ata