Ministri i Brendshëm, Taulant Balla deklaroi sot se, në 2 vite janë dhënë rreth 11.5 milionë certifikata elektronike për qytetarët, duke kursyer 13 milionë euro.

Në fjalën e tij në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, ku u diskutua projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10129, datë 11.5.2009, “Për gjendjen civile””, të ndryshuar, Balla tha se, “revolucioni digjital i shërbimeve dhe po ashtu dhe i administratës publike ka filluar prej vitit 2014 dhe kjo ka sjellë edhe një ndryshim të perceptimit të qytetarëve në lidhje me komunikimin elektronik me institucionet shtetërore.

Balla theksoi se, “prej 1 majit 2022 shërbimi i Gjendjes Civile ka kaluar në 80% të volumit të shërbimeve online duke arritur që në këto 2 vite të kemi rreth 11.5 milionë certifikata elektronike të dhëna qytetarëve dhe nëse do ta kalkuloja këtë sasi shërbimesh, së pari në vlerë monetare do të thoja që për shkak të këtij niveli digjitalizimi ne jemi në nivelin e kursimit të qytetarëve të rreth 13 milionë eurove”.

“Pra, nëse nuk do të ishte bërë ky shërbim qytetarët do të kishin vazhduar të paguanin certifikata që shkojnë nga 50 lekë deri në 200 lekë. ndërkohë që ky është një shërbim që merret falas. Këtu nuk futet pastaj miliona orë të kursyera nga qytetarët për të shkuar për të marrë atë certifikatë apo dhe shpenzime të tjera financiare për të shkuar për ta marrë këtë shërbim. Pra ky shërbim ofrohet menjëherë në telefonin tuaj mobil apo në kompjuter”, tha Balla.

Balla theksoi se, “ndryshimet që kemi sjellë janë pjesë e Axhendës Digjitale të Shqipërisë, por dhe të Planit tonë të Veprimit 2022-2026, në të cilin kemi përcaktuar si qeveri e Shqipërisë të punojmë në disa drejtime kryesore duke vendosur në fakt edhe objektiva të matshëm”.

Së pari, shtoi Balla, “të nxisim investime në zona kyçe të informatikës së avancuar, por edhe të përpunimit të të dhënave, të inteligjencës artificiale, të sigurisë kibernetike dhe të aftësive të përparuara digjitale të nevojshme për t’i zhvilluar këto kapacitete”.

“Të shërbejë si një katalizator për të koordinuar projektet e sektorit publik dhe për modernizimin e aksesit në teknologjinë informatike”, theksoi Balla.

Balla tha se, “qeveria shqiptare po aspiron prej kohësh të jetë më e hapur, më fleksibël dhe më interaktive në marrëdhënie me qytetarët, me biznesin duke përdorur mjetet e teknologjisë së komunikimit për të rritur efektivitetin, efikasitetin, me qëllim përmirësimin në vazhdimësi të shërbimeve”.

Ministri u shpreh se, “nisma është e rëndësishme edhe në drejtim të nevojës për parashikimin e sanksioneve, përmes kufizimit të marrjes së shërbimit të Gjendjes Civile, me qëllim nxitjen e deklarimit të vendbanimit.

Balla tha se, kjo ka të bëjë edhe me procesin e regjistrimit të bashkatdhetarëve tanë që jetojnë jashtë territorit.

“Një hap i rëndësishëm në drejtim të një dakordësie, që s’besoj që kemi asnjëri prej nesh kundërshtime, që është çështja e votës së qytetarëve që jetojnë jashtë territorit, por kjo duhet lidhur drejtpërsëdrejti me një proces të drejtë, transparent regjistrimi”, tha Balla.

“Prej kohësh tashmë ne kemi realizuar dhe kemi gati të gjithë infrastrukturën ku çdo qytetar i vendit përmes portalit e-Albania, kemi një seksion të posaçëm për regjistrimin e vendbanimit të qytetarëve shqiptarë që jetojnë jashtë territorit, mjafton të shkosh në këtë seksion dhe të duhet vetëm një dokument shumë i thjeshtë për regjistrimin e vendbanimit, që ka të bëjë me një kontratë qiraje ku është e shënuar adresa. Një kontratë furnizimi me ujë të pijshëm apo furnizimi energjie elektrike, apo një vërtetim nga njësia e qeverisjes vendore të vendit ku jeton, në të cilën dëshmohet qartë që meqë kemi një prej tyre këtu, Lavdrim Krashin, të vërtetohet që Lavdrim Krashi jeton në Londër, në adresën filan dhe aty mund të shtosh anëtarët e tjerë të familjes”, tha Balla.

Ministri tregoi edhe 6 risitë e ndryshimeve të ligjit.

Së pari, tha ai, “na duhet të plotësojmë kuadrin ligjor për të mundësuar kalimin e mëtejshëm të shërbimit të Gjendjes Civile online. Kemi kaluar një pjesë dhe na duhet të kalojmë edhe një pjesë tjetër dhe këtë duhet ta mbështesim me kuadër ligjor”.

E dyta, theksoi Balla, “ka të bëjë me saktësimin e përkufizimit të vendbanimit dhe vendqëndrimit, me qëllim harmonizimin e tyre edhe sipas kodit civil”.

“E treta ka të bëjë me një problematikë që ka të bëjë me trajtimin e rasteve kur fëmijët lindin fatkeqësisht të vdekur, me qëllim pasqyrimin e saktë edhe në regjistrat edhe në përllogaritjet demografike”, tha Balla.

“E katërta, ka të bëjë me adresimin e fenomenit të martesave fiktive, që kryesisht i referohen shfrytëzimit të artificës ligjore të marrjes së mbiemrit të bashkëshortëve”, u shpreh Balla.

Balla tha se, “kemi të bëjmë edhe me propozimin e disa masave shtesë për mosdeklarimin e vendbanimit dhe vendqëndrimit”.

Së gjashti, shtoi Balla, “po i japim me ligj punonjësve të shërbimeve konsullore që të ofrojnë këto shërbime, të gjithë gamën e shërbimeve”.

Relatori i çështjes, Eduard Ndreca, vlerësoi rëndësinë që ka projektligji për lehtësimin e shërbimeve për qytetarët dhe duke nënvizuar kushtetutshmërinë, përputhshmërinë me legjislacionin në fuqi, ftoi kolegët ta miratojnë.

Mbledhje e komisionit vijoi me pyetje dhe diskutime të anëtarëve të komisionit./ata