Presidenti turk Recep Tayyip ErdoÄŸan tha sot se qeveria e tij ka ndaluar gjithë tregtinë me Izraelin, që kap vlerën në rreth 9.5 miliardë dollarë.

Duke folur me gazetarët pas namazit të xhumasë në Istanbul, presidenti turk shtoi se ata e kanë "mbyllur derën" në tregtinë me Izraelin për shkak të sulmeve në Rripin e Gazës.

Ministria turke e Tregtisë njoftoi se Ankaraja ka pezulluar të gjitha operacionet e eksportit dhe importit me Izraelin për shkak të "agresionit të tij kundër Palestinës në shkelje të ligjit ndërkombëtar dhe të drejtave të njeriut".

Presidenti ErdoÄŸan, duke dënuar agresionin e vazhdueshëm të Izraelit në Rripin e Gazës, tha gjithashtu se veprimet e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu e kanë bërë të pamundur një afrim të mundshëm Türkiye-Izrael.

"Ai takim kishte një objektiv", tha ErdoÄŸan duke iu referuar kur ai dhe Netanyahu u takuan në New York në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së përpara konfliktit në Gaza.

"Por, Netanyahu është i pamëshirshëm. Ai u përgjigj duke sulmuar gratë dhe fëmijët", shtoi ai.

ErdoÄŸan kritikoi gjithashtu Perëndimin për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Izraelit. "Të gjitha vendet perëndimore, në krye me SHBA-në, po mbështesin Izraelin dhe nuk po kursejnë përpjekjet për të dënuar me vdekje palestinezët që janë goditur nga varfëria", tha ai.

"Është e paimagjinueshme që Türkiye të qëndrojë e heshtur përballë agresionit izraelit", theksoi po ashtu presidenti turk.

Izraeli ka zhvilluar ofensivë të ashpër në enklavën palestineze që nga një sulm ndërkufitar nga Hamasi më 7 tetor të vitit të kaluar, në të cilin Tel Avivi thotë se u vranë rreth 1.200 njerëz.

Mbi 34.600 palestinezë janë vrarë që atëherë, kryesisht gra dhe fëmijë ndërsa më shumë se 77.800 të tjerë janë plagosur, krahas shkatërrimit në masë dhe mungesës së madhe të nevojave.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND). Një vendim i përkohshëm në janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet gjenocidale dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza./aa