Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani foli sot nga Gjeneva për Samitin Ukrainë-Evropa Juglindore, që do të zhvillohet në Tiranë më 28 shkurt.

Ministri Hasani iu drejtua sot me një fjalë Segmentit të Nivelit të Lartë të Sesionit të 55-të të Drejtave të Njeriut, që zhvilloi punimet në Gjenevë.

Duke folur për samitin që pritet të organizohet në Tiranë, Hasani tha se ai synon të mbështesë Ukrainën dhe të denoncojë këtë agresion të paligjshëm dhe krimet që ka sjellë ai.

Hasani theksoi se “duke vepruar kështu, ne në fakt po luftojmë për të drejtat e njeriut dhe sistemin e bazuar në rregulla”.

“Më 24 shkurt 2022,  Rusia nisi luftën e saj të paprovokuar, të pajustifikuar dhe të paligjshme të agresionit kundër Ukrainës. Gjatë dy viteve të fundit, trupat ruse janë përfshirë në një mori të tmerrshme krimesh lufte dhe krimesh kundër njerëzimit: tortura, deportimi i fëmijëve, dhuna seksuale e lidhur me konfliktin, sulme zjarri mbi civilët, lëvizjet ose zhvendosjet e civilëve, keqtrajtimi dhe ekzekutimi i të burgosurve të luftës, ndalimet arbitrare dhe vrasjet janë vetëm disa nga to gjëra që po ndodhin. Së fundmi, këtyre krimeve i shtohet edhe vdekja e liderit të opozitës Alexey Navalny – episodi i fundit i një vargu trajtimesh të tmerrshme të kundërshtarëve nga regjimi rus”, u shpreh Hasani.

Kreu i diplomacisë shqiptare nënvizoi se “ajo që ka qenë vërtet tronditëse, madje edhe më shumë se krimet në vetvete, është arroganca e autorëve të cilët kanë lavdëruar krimet e tyre, gjë e cila është parë nga e gjithë bota”.

“Autorët e këtyre krimeve duhet të mbajnë përgjegjësi. Ne mbështesim plotësisht mandatin e Komisionit Hetimor dhe si anëtar i Këshillit të të Drejtave të Njeriut do të punojmë fort, së bashku me partnerët, aleatët dhe vendet të njëmendta drejt arritjes së objektivit për të vënë para drejtësisë autorët”, shtoi ai./ata