Komuna arbëreshe e Pallagorisë hapi dyert sot për personalitetet shqiptare të katër shteteve në Ballkan: Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, si edhe për autoritetet e larta italiane, me rastin e kremtimit të 100-vjetorit të vdekjes së intelektualit arbëresh, Anselmo Lorecchio.

Pjesëmarrja e Presidentit të Republikës së Shqipërisë Sh.T.Z.Bajram Begaj dhe shefit të diplomacisë italiane,  Antonio Tajani, ishin një simbolikë e bukur e këtij përkujtimi, duke dëshmuar rëndësinë e lidhjeve kulturore dhe historike midis Italisë dhe Shqipërisë. “Dëshira dhe mendimi i Anselmo Lorecchios për një Evropë të bashkuar duket sikur sot në këtë vend, në Pologoria, gjejnë vend, sepse janë bashkë Italia, Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi”, – u shpreh Presidenti Begaj në ceremoninë për Lorecchion, që vijoi me inaugurimin e sheshit për nder të tij e më pas me mbajtjen e konferencës ndërkombëtare. Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh. T. Z. Bajram Begaj, u shprehu mirënjohje arbëreshëve që veç traditës, kulturës, gjuhës dhe vlerave identitare, promovojnë dhe figurat përbashkuese e me vizion për ardhmërinë.

“Anselmo Lorecchio nuk ishte vetëm një patriot, por një urë mes dy botëve, asaj arbëreshe në Itali dhe shqiptare në Ballkan. I lindur në një kohë kur identitetet kulturore po formësoheshin dhe përcaktoheshin nga luftërat dhe ndryshimet politike, Lorecchio kuptoi rëndësinë e identitetit kulturor, të ruajtjes së gjuhës dhe zakoneve arbëreshe. Ai i mbrojti dhe zhvilloi ato me përkushtim të pathyeshëm”.

Presidenti i Shqipërisë vlerësoi veprën e Anselmo Lorecchios, një personalitet që la gjurmë të pashlyeshme në historinë e Shqipërisë në përpjekjet për pavarësi dhe kontribuoi ndjeshëm në kulturën dhe historinë e komuniteteve arbëreshe në Itali.

“Ai nuk ishte vetëm një patriot, por ishte një urë midis dy popujve, atij arbëresh në Itali dhe shqiptar në Ballkan. I lindur në një kohë kur identitetet kulturore po formësoheshin dhe përcaktoheshin, jeta e tij është një testament për kulturën dhe trashëgiminë arbëreshe, duke u bërë një zë i fuqishëm për Italinë e më gjerë. Figura e tij na kujton rëndësinë e mbrojtjes së të drejtave dhe ruajtjes së identitetit në një botë që shpesh na shtyn drejt asimilimit dhe uniformizimit”, – deklaroi Kreu i Shtetit.

Presidenti Begaj vlerësoi ndikimin e Lorecchios me gazetën “La Nazione Albaneze “, e cila luajti një rol themelor në nxitjen e ndjenjës kombëtare dhe në përhapjen e ideve për çlirimin dhe pavarësinë dhe e kombit shqiptar.

Në këtë konferencë, Kreu i Shtetit bëri thirrje për të nderuar të kaluarën e për të ndihmuar në ndërtimin e një ure midis brezave dhe kulturave, duke pasuruar jo vetëm komunitetin, por edhe botën rreth nesh.

Presidenti Begaj vizitoi, gjithashtu, edhe ekspozitën kushtuar Anselmo Lorecchios në Pallagoria./BalkanWeb