Bankat dhe shoqëritë e kursim-kreditit që janë pjesë e skemës së garantimit të depozitave dhe të cilat kanë një probabilitet më të madh falimentimi, duhet të paguajnë më shumë prime pranë Agjencisë së Sigurimit të Depozitave. Kjo është një nga inciativat që pritet të realizohet deri në vitin 2026, sipas Planit Strategjik të kësaj agjencie.

Realizimi i përputhshmërisë së plotë me Direktivën e BE “Për skemat e garantimit të depozitave” mbetet qëllimi përfundimtar i Agjencisë. Një nga projektet që ka të bëjë me plotësimin e kuadrit ligjor në përputhje me Direktivën e Bashkimit Evropian “Për skemat e garantimit të depozitave” lidhet me përshtatjen e llogaritjes së primit sipas kësaj direktive. Direktiva kërkon që primi që paguajnë anëtarët e skemës duhet të reflektojë rrezikun që këta anëtarë paraqesin për fondin e sigurimit e depozitave.

Agjencia e Sigurimit të Depozitave po shqyrton paraprakisht hartimin dhe implementimin e një metodologjie për diferencimin e primit në bazë të rrezikut të subjekteve për secilën skemë (banka dhe shkk).

Gjatë tre viteve në vijim, synimi kryesor i Agjencisë do të jetë forcimi i aftësisë operacionale për të qenë e gatshme që në rast të një ngjarje sigurimi, të ndërhyjë sa më shpejt të jetë e mundur. Në funksion të këtij objektivi, me frekuencë njëvjeçare do të kryhen simulime teknike me të gjithë anëtarët e skemës së sigurimit të depozitave, ku do të testohet aftësia e tyre.

Në tre vitet e ardhshme parashikohet që të ardhurat nga primi i sigurimit të rriten çdo vit në masën 3%. E njëjta gjë vlen edhe për të ardhurat nga administrimi i mjeteve financiare të Agjencisë dhe shpenzimet korente. Ndërsa shpenzimet financiare do të ndryshojnë çdo vit në masën 5%.

Qëllimi i Agjencisë është që depozitat e qytetarëve dhe biznesesve në banka dhe shoqëritë e kursim-kreditit të jenë të sigurta, në rast se këto të fundit falimentojnë./Scan