Në tremujorin e dytë të vitit 2024, çmimet e prodhimit shënuan rritje me 1.7 %. Një vit më parë ky ndryshim ishte 6.9 %.
Krahasuar me tremujorin e parë, gjatë periudhës prill-qershor IÇP shënoi rritje me 0.1 %.
Sipas raportit të publikuar nga INSTAT, krahasuar me tremujorin e dytë 2023, rritja më e madhe e çmimeve prej 5.3 % vërehet në seksionin “energjia elektrike, gaz, avull dhe me ajër të kondicionuar”, pasuar nga seksionet “industri nxjerrëse” me 4 %, “industri përpunuese” me 0.4 % dhe “furnizimi me ujë, aktivitete të trajtimit dhe menaxhimit të mbeturinave, mbetjeve” me 0.3 %.
Brenda seksionit “industri përpunuese” rritja më e madhe e çmimeve vërehet në aktivitetin “prodhimi i produkteve të duhanit” me 3.8 %, pasuar nga aktivitetet “përpunimi i produkteve ushqimore” me 3 %, “prodhimi i pijeve” me 2.7 %, “shtypshkrimi dhe rigrupimi i mediave të regjistruara” me 2.5 % etj.
Nga ana tjetër, ulja më e madhe e çmimeve vërehet në aktivitetin “përpunimi i tekstileve” me 3.2 %, pasuar nga “prodhimi i produkteve minerale jo metalike” me 2.3 %, etj.
Indeksi i Çmimeve të Prodhimit të produkteve për tregun vendas shënoi rritje me 2.3 %. Rritja më e madhe e çmimeve vërehet në seksionin “energjia elektrike, gaz, avull dhe ajër i kondicionuar” me 7 %, pasuar nga seksionet “industri nxjerrëse” me 2.2 %, “industria përpunuese” me 0.7 % dhe “furnizimi me ujë, aktivitete të trajtimit dhe menaxhimit të mbeturinave, mbetjeve” me 0.5 %.
Indeksi i Çmimeve të Prodhimit të produkteve për eksport shënoi rritje prej 0.2 %. Rritja e çmimeve është shënuar në seksionin “industri nxjerrëse” me 5.1 %. Nga ana tjetër, seksioni “industria përpunuese” ka shënuar ulje me 0.6 %, pasuar nga seksioni “furnizimi me ujë, aktivitete të trajtimit dhe menaxhimit të mbeturinave, mbetjeve” me 0.2 %./ata