Kontrolli, instalimi, riparimi apo çmontimi i pajisjeve që përmbajnë gaze serrë të fluoruara, sikurse janë frigoriferët, kondicionerët apo pompat e nxehtësisë do të bëhet vetëm nga persona të certifikuar.
Detyrimi për personat që ushtrojnë këto veprimtari vjen nga ligji “Për gazet serrë të fluoruara”, që u miratua vitin e kaluar, ndërkohë që Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka nxjerrë për konsultim publik vendimin që përcakton skemën dhe kërkesat minimale për certifikimin e personit.
Projektvendimi përcakton trajnimet që duhet t’iu nënshtrohen këta persona përpara certifikimit që do të kryhet nga Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit, teksa vlefshmëria e certifikatës do të jetë 10 vjet, me të drejtë rinovimi.
Sipas relacionit shoqërues projektvendimi për certifikimin e personit që punon me gaze serrë të fluoruara ofron një sërë përparësish. Së pari, krijimi i një kuadri rregullator certifikimi rrit nivelin e profesionalizmit dhe kompetencës së personelit të përfshirë, duke garantuar që këta persona të kenë njohuritë dhe aftësitë e nevojshme për të trajtuar këto substanca në mënyrë të sigurt dhe efektive.
Së dyti, kjo masë kontribuon në përmbushjen e detyrimeve ndërkombëtare dhe të BE-së për reduktimin e emetimeve të gazeve serrë, duke ndihmuar Shqipërinë të arrijë objektivat e saj klimatike dhe të përmirësojë mbrojtjen e mjedisit.
Paralelisht me këtë projektvendim, një tjetër dokument i nxjerrë gjithashtu për konsultim publik përcakton se sipërmarrësit që importojnë, eksportojnë, magazinojnë, hedhin në treg apo mirëmbajnë pajisje që përmbajnë gaze me efekt serrë të fluoruara do të duhet të licencohen për të ushtruar aktivitetin./Scan