Kompleksi Portual Durrës – Porto Romano mbylli tre mujorin e parë të vitit 2024 me 3% rritje, ku kryesojnë konteinerët dhe udhëtarët e transportuar në rrugë detare.
Lajmi u bë i ditur nga zv/kryeministrja njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku në një postim në rrjetet sociale.
“1,6 milionë tonë mallra janë përpunuar në 3 muajt e parë të 2024. Konkretisht në janar -mars u përpunuan 526,374 tonë rifuxho të thata dhe mallra gjenerale, 368,290 tonë rifuxho të lëngëta, 261, 473 tonë mallrat me traget (RO&RO) dhe 450 172 tonë konteinerë”, theksoi Balluku.
Vetëm në muajin janar në kompleksin Portual Durrës – Porto Romano u përpunuan mbi gjysmë milion tonë mallra ose 45% më shumë se janari i 2023, duke evidentuar kështu rolin e rëndësishëm të kësaj nyje detare për ekonominë e vendit.
Transporti detar i udhëtarëve ka njohur po ashtu rritje, duke numëruar në total 109,722 pasagjerë gjatë këtij tre mujori, ku kryesojnë shtetasit e huaj me 16% më shumë.
Referuar të dhënave zyrtare, vëllimet tregtare në rrugë detare në Komplesin Portual Durrës-Porto Romano gjatë tre mujorit 2024, janë rritur me 3% dhe 4% në të dyja portet, përkatësisht në Portin aktual në Durrës janë përpunuar 814,377 tonë mallra dhe në atë të Porto Romanos 791,932 tonë.
Importet në periudhën janar-mars 2024 arritën në 1.2 milionë tonë ose me rritje 3% krahasuar me një vit më parë. Eksportet e ngarkuara arritën në 326,552 tonë, një rritje po ashtu prej 3%.
Që prej vitit 2018, përveç periudhës pandemike (viti 2020), vijon rritja e volumeve të përpunuara, duke dëshmuar konsolidimin konsistent të kompleksit portual më të rëndësishëm në vend./ata