Kryeministri Edi Rama foli sot për reportazhin e publikuar nga “RAI 3”, ndërsa u shpreh se ky reportazh nuk do të ishte transmetuar disa vite më parë, sepse nuk mund të publikoheshin gjëra të paverifikuara.
Në podkastin “Flasim” i ftuar i kryeministrit për të diskutuar për lirinë e medies ishte opinionisti Blendi Fevziu.
Duke folur mbi parimet klasike të gazetarisë ku lajmi duhet të verifikohet nga të gjitha burimet, Kryeministri u shpreh se “sot ka një shpejtësi aq të madhe të dhënies së informacionit sa ajo që është lajm i ri në mëngjes, bëhet lajm i vjetër në darkë dhe nuk ka kohë për të verifikuar”.
Kryeministri solli si shembull rastin me “RAI 3”, duke theksuar se “nuk kishte ndodhur në të shkuarën që të bëhej një reportazh pa asnjë verifikim të atyre gjërave që thoshin”.
“Ajo që ndodhi nuk duhet të kishte ndodhur para disa vitesh. Të bësh një emision ku të marrësh nëpër gojë persona të cilët janë të gjallë, janë persona publikë, kanë një përgjegjësi përpara të gjithëve dhe të mos kërkosh versionin e tyre, mos të verifikosh… Faktikisht ata jo vetëm i ishin referuar, por ishin të gjitha gjëra të marra nga këtu”, tha Rama.
Sipas tij, “në momentin kur ti merr nga një burim tjetër një lajm ose një tërësi faktesh që janë problematike dhe as nuk i verifikon dhe nga ana tjetër viktimën e atyre që ti ke marrë ti e rigodet pa bërë verifikim kjo nuk do të kishte ndodhur më parë”.
“Pjesa kulmore fare ishte mohimi i faktit që ndërkohë përgjigjet që ata kishin kërkuar i kishin marrë dhe nuk i publikuan”, tha Rama, duke shtuar se kjo është një e drejtë abuzive e tyre, por nuk mund të thonë që nuk i kemi marrë përgjigjet.
Kryeministri theksoi se “këtu ka një revansh të spektaklit, të nevojës për audiencë, të nevojës për të tërhequr sa më shumë vëmendje dhe për të ushqyer publikun me sa më shumë ngjarje dhe interpretime të cilat e fusin publikun jo më në një një marrëdhënie ‘të mërzitshme’ me të vërtetën por një marrëdhënie shumë tërheqëse me gënjeshtrën, fiction, komplotin. Është bërë spektakël botëror”, shtoi ai./ata