Xhuzepe Bardaro është një italian nga Toskana, ka katër vjet që jeton në Myzeqe, më saktë në Krutje të Lushnjës, një fshat që bëri emër në komunizëm dhe për një ekip volejbolli me vajza kooperativiste, ato të Traktori i Lushnjës që mbërritën në elitën e volejbollit shqiptar.

Ai ka vendosur te jetojë përgjithmonë në Shqipëri së bashku me gruan e tij, mes trëndafilave.

“Në Shqipëri erdhëm në 2020-ën dhe vendosëm të qëndrojmë në Krutje, sepse gruan e kam shqiptare. Këtu bëj fshatarin, kam kopshtin tim të trëndafilave, bëj vajin që përdoret për sëmundje, parfume etj.. Jam i lumtur këtu,” shprehet italiani.

Ai ka mbi tre mijë rrënjë trëndafila dhe tani po bën vjeljen e tyre, pasi i përdor për prodhimin e vajit esencial. Dhe për këtë ndihet i lumtur, sepse e ka realizuar ëndrrën e tij.

“Këtu kam gjithçka. Jam qytetar i lindur në Itali, por Italinë e kam këtu. Më pëlqen teksa shoh fëmijët që shkojnë në shkollë. Përshendetem me njerëzit e lagjes. Është shumë qetësi. Dy vjet e lashë shtepinë pa gardh dhe nuk kisha asnjë problem,” thotë Xhuzepe, duke vlerësuar kësisoj dhe sigurinë.

Sonila, bashkëshortja e italianit, ka të njëjtin pasion. Endrrën që e nisën në Toskanë e materializuan në Krutje. Te dy rrisin trëndafilat jo vetëm për bukurinë e shpirtit, por edhe për shërimin e tij.

“Vendi këtu në Krutje është i përshtatshëm për pasionet që ai ka prej kur ishim në Itali. Ai do të jetë sa më në kontakt me natyrën,” shprehet Sonila Vogli./TeSheshi.com