Është i vetmi trajner ameriko latin në EURO 2024. Sylvinho po merret me çdo detaj që Kombëtarja të lërë gjurmë në Europian. Njerëzit pranë tij tregojnë se braziliani ngjan më shumë me një gjerman, për nga përpikmëria.

Nuk është rastësi se ai gjendet çdo ditë në zyrë në orën 09:00 dhe nuk largohet asnjëherë para orës 17:00. Çdo gjë e dedikuar, duke nisur nga vëzhgimi i lojtarëve, analizat e kundërshtarëve apo orari strikt i ushqyerjes.

Shumë më ndryshe nga ndihmësi Zabaleta, i cili për Sylvinhon zbulon se “stresohet po të shkojë qoftë edhe 1 minutë me vonesë në restorant”. Si një orë zvicerane, që anën më pozitive ka sjelljen njerëzore.

Sylvinho nuk është sipërfaqësor. Me ata që takon shpesh, a bashkëpunon, nuk mjaftohet me një përshëndetje, por edhe me bashkëbisedim. Braziliani i kombëtares s’lodhet kurrë as nga tifozët. Madje është gati të bëjë më shumë se 100 foto kur në tribunën e “Air Albanias” ndjek derbin Tirana-Partizani.  Ndryshe nga parardhësit e tij Sylvinho mban marrëdhënie të shkëlqyer edhe me mediat. Gazetarët janë në disa raste edhe miqtë e tij.

Shpesh thuhet se për të zbuluar karakterin e dikujt duhet t’i japësh pushtet, por ky nuk është rasti i trajnerit të kombëtares. Modestia mbizotëron te Sylvinho, i cili nuk lë takime pa ndarë meritat e kualifikimit me ndihmësit e tij.

Jo më kot braziliani konsiderohet i veçantë. Ai udhëton çdo fundjavë për të ndjekur kuqezinjtë në stadiumet e Europës ku luajnë. Për ta bërë detyrën në perfeksion dhe për ta dërguar kombëtaren drejt kualifikimit ai ka jetuar çdo ditë në Shqipëri që pas emërimit në janar të 2023. Larg familjes, gruas dhe vajzës.

Tani po përgatitet për Europianin. Stresi pohon se i ka filluar që në momentin e shortit pavarësisht se kualifikimin e konsideron si një ëndërr të realizuar. Zabelatës i ka lënë detyrë Spanjën, Dorivës Kroacinë, ndërsa vetë po merret me Italinë. Çdo ditë nga 3-4 orë studim. Një profesionist dhe personazh jo i zakontë, që me Shqipërinë kontrata e lidh deri në Europianin e Gjermanisë. Më pas ....të gjithë urojnë të rinovojë./Shqiptarja