Fshati turistik i Borshit, në jug të vendit mirëpret edhe këtë vit “South Outdoor Festival”, ngjarjen e rëndësishme që promovon turizmin dhe traditën, ndërkohë që nxit edhe ekonominë lokale.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjete sociale, momente pikante nga “South Outdoor Festival” në Borsh, tashmë simbol i fillimit të sezonit veror, që bashkon turistë shqiptarë e të huaj me artin, muzikën, traditën, sportet dhe mbi të gjitha me natyrën mahnitëse të Jugut.

“Super festivali South Outdoor rikthehet sërish për ta kthyer bregdetin e jugut në destinacionin e shumëkërkuar e plot energji të vizitorëve nga e gjithë bota nën pasionin për natyrën, muzikën, aventurën dhe ekoturizmin”, shkroi Rama.

Festivali do të mbahet nga data 23-28 maj duke krijuar atmosferën e shumëpritur me praninë e mijëra të rinjve, vizitorëve vendas dhe të huaj si një ogur i mirë për sezonin e afërt veror.

I kthyer në një traditë tashmë, “South Outdoor Festival” ka për qëllim promovimin e turizmit të qëndrueshëm gjithëvjetor në fshatrat e bregdetit jonian, si një kombinim i turizmit të detit me atë të traditës e aventurës, turistët vendas dhe të huaj e kthyen jugun e Shqipërisë në një arenë festimesh e argëtimesh./ata