Drejtori Ekzekutiv për Shqipërinë pranë Bankës Botërore Matteo Bugamelli, deklaroi se, “Shqipëria është një vend kyç në konstituencën tonë dhe ka dhënë kontributin e vet në cilësinë e një vendi që është huamarrës”.
Duke marrë fjalën në mbledhja e Konstituencës së FMN-së dhe BB-së që u mbajt për herë të parë në Shqipëri, me pjesëmarrjen e Kryeministrit Edi Rama, ministrit të Financave, Ervin Mete, drejtorit Ekzekutiv për Shqipërinë në FMN, Federico Giammusso, Bugamelli tha se, “Shqipëria është një vlerë tejet e rëndësishme për lidershipin e saj, që ka dhënë ndikim në forcimin e bashkëpunimit në rajonin e Ballkanit Perëndimor në konteksin e anëtarësimit në BE dhe BB i ka ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimor për këtë qëllim”.
Ai theksoi se Shqipëria është në qendër të agjendës së zhvillimit.
“Është një vend me të ardhura mesatare dhe është perfekt për ta pasur të tillë. Vitin e kaluar ne patëm “Ditën e Shqipërisë” dhe miratuam paketën financiare prej 400 milionë USD”, tha Bugamelli.
“Duke parë drejt të ardhmes ne do të vazhdojmë të kemi një dialog të vazhdueshëm për prioritetet e financimit si dhe për shpejtësinë dhe cilësinë e rezultateve dhe rritjen e ndikimit që ka. Shpejtësia, cilësia më e madhe dhe rritje e burimeve financiare, fokusimi tek nevojat e vendeve me të ardhura të ulëta veçanërisht në Afrikë dhe vende të vogla, janë prioritete për të gjitha vendet e konstituencën tonë”, deklaroi drejtori Ekzekutiv për Shqipërinë pranë Bankës Botërore Matteo Bugamelli.
Gjatë fjalës së tij, ai u ndal në rëndësinë e këtij takimi për shkëmbimin e eksperiencave dhe të informacionit, me rëndësi në përballimin e sfidave aktuale me të cilat po përballen ekonomitë e vendeve dhe përqasjet sa më eficiente dhe të koordinuara me qëllim zhvillimin e vendeve./ata