Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, në ditën e lindjes së Heroit Kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastrioti Skënderbeun e ka cilësuar si një mit të pathyeshëm.

Në një postim në rrjetet sociale, Spiropali thekson se, Skënderbeu provoi se lufta kundër pushtimit territorial është diçka e shenjtë, frymëzuese dhe e pamposhtshme, e pashkatërrueshme, e qëndrueshme përgjithmonë.

“Nuk ka në botë një vend tjetër me territor dhe popullsi si dhe sa i yni, të ketë një Hero Kombëtar aq të madh, aq të shquar, aq të vlerësuar botërisht, sa Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”, shkruan Spiropali.

“Gjergji ynë i Madh provoi se lufta për të refuzuar me forcë një pushtim territorial dhe kulturor, nuk ka lidhje me sipërfaqe trualli apo numër banorësh, nuk është “sasi” materialistike, është “cilësi” idealistike, pra diçka e shenjtë, diçka frymëzuese, e pamposhtshme, e pashkatërrueshme, e qëndrueshme përgjithmonë”, vijon Spiropali.

Sipas saj, “ka vende të botës që nuk kanë Hero Kombëtar. Ata që kanë, në rastin më të mirë e kanë edhe mbrojtës edhe pushtues, madje edhe më keq, vetëm pushtues. Vështirë ndonjë vend ta ketë Heroin Kombëtar si tonin. Aspak pushtues. Vetëm mbrojtës. Jo vetëm të vendit të vet, por të mbarë Europës”.

“Skënderbeu është më i rëndësishmi i Historisë tonë që luftoi për njohjen botërisht dhe definitivisht të identitetit tonë perëndimor. Ditëlindja e Tij është gjithashtu Ditëlindja e një Miti të pathyeshëm që shenjoi identitetin tonë si luftëtarë që ndërtojnë dhe si ndërtues që luftojnë për liri!  Për këto dhe të tjera, Kryeprincit tonë luftëtar, strateg dhe diplomat vizionar, Ditëlindjen do ia përkujtojmë me krenari çdo mot”, përfundon postimin e saj ministrja Spiropali./ata