Arsimi profesional është rruga drejt punësimit dhe mekanika duket se është dega me përqindjen më të lartë të punësimit në shkollën profesionale të Rrëshenit “Shën Jozefi”.
Agjencia Telegrafike Shqiptare vizitoi ambientet mësimore të shkollës profesionale të Rrëshenit, ku ofrohen gjashtë programe mësimore, nga hoteleri turizë, tek sektori i “IT”, duke vijuar tek infermieria, degët mekanike, elektrike dhe termohidraulike.
Gjashtë programet mësimore u vijnë në ndihmë 387 nxënësve. “Mekanika është dega e cila ka trendin më të lartë të kërkesave, kjo dhe për faktin se tregu i punës ka nevojë për profesionistë të kësaj natyre. Në statistikat që arrijmë të mbledhim 70-80%, që pa mbaruar ende ciklin 4-vjeçar e kanë të sigurt punësimin e tyre sipas degëve që kanë zgjedhur’, tha Luiz Gjergji, drejtuesi Didaktik i shkollës.
Vetë nxënësit shprehen të kënaqur me mundësinë që i jep aftësimi profesional në marrjen e një zanati që i garanton punësim të drejtpërdrejt.
Elektra Regji, nxënëse e hoteleri turizëm rrëfen se pasioni i saj për gatimin është përçuar në familje, ndërsa ëndrra e saj është të ketë dhe një bujtinë të saj në të ardhmen. Ndërkohë edhe nxënësit e IT, shprehen të qartë në objektivin e tyre për të vijuar studimet në këtë fushë, ku tregu i punës ka kërkesa të shumta.
Nxënësit në shkollën profesionale të Rrëshenit kanë mundësi që përveç praktikës që kryejnë në laboratorët e ndërtuar në shkollë, të vijojnë gjatë vitit të tretë dhe të katërt të zhvillojnë praktika pranë bizneseve të zonës dhe jo vetëm, duke i mundësuar dhe njohjen e drejtpërdrejt me tregun e punës.
E njëjta situatë shfaqet dhe në degën e infermierisë, mekanikës, elektricistit, apo degëve të tjera./ata