Misioni i NATO-s në Kosovë (KFOR), Misioni i Bashkimi Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) dhe Policia e Kosovës do të zhvillojnë një stërvitje të përbashkët në Kampin "Vrella", më 7 maj 2024, të quajtur "Golden Sabre 2024".

Siç njofton KFOR-i, ky ushtrim do të testojë aftësinë e KFOR-it për të zbatuar procedura të përbashkëta të menaxhimit të krizave në skenarë të ndryshëm sigurie dhe do të përfshijë një numër të konsiderueshëm personeli, automjetesh dhe mjetesh që operojnë në të gjithë zonën e stërvitjes, si dhe në rrethinat e tij dhe përgjatë rrugëve kryesore fqinje.

"Golden Sabre 2024 është pasqyrim i bashkëpunimit dhe përkushtimit tonë të gjatë për të mbështetur sigurinë e qëndrueshme në mbarë Kosovën, për të mirën e të gjitha komuniteteve", thuhet në njoftimin e KFOR-it.

Komandanti i KFOR-it, Gjeneral Major Özkan Ulutaș, tha se kjo stërvitje e përbashkët simbolizon përkushtimin e KFOR-it për paqen dhe stabilitetin në Kosovë.

"Duke bashkuar forcat dhe aftësitë tona, ne demonstrojmë gatishmërinë tonë për të adresuar sfidat dhe përkushtimin tonë për të ruajtur stabilitetin rajonal. Mezi presim përfundimin me sukses të këtij ushtrimi dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm mes të gjithë të përfshirëve", theksoi Ulutaș.

KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) të vitit 1999, për të ofruar një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe për të garantuar lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.

KFOR është reaguesi i tretë i sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), përkatësisht, me të cilët punon në koordinim të ngushtë./aa