Kryeministri Edi Rama konfirmoi sot se në 10 vite arkës së shtetit i janë kursyer 960 milionë euro nga kursimi i fondeve publike.

Në mbledhjen e zgjeruar të grupit parlamentar të PS-së dhe kabinetit qeveritar, Rama foli për Prokurimet Publike.

“Lidhur me kursimin e fondeve si rezultat i konkurrencës, meqë ka edhe një mit tjetër se përveç 5 vetave që i marrin të gjithë tenderat dhe i ndajnë me hajdutët e rilindjes, tenderat u jepen këtyre të pestëve gjithmonë sa është fondi limit. Nga 25 mijë subjekte që kanë fituar tendera publikë në këto 10 vjet, shuma e kursyer nga fakti kokëfortë i garës reale është 96 603 818 542 lekë, ose 960 milionë euro kursime për shtetin”, shtoi Rama.

“Pra është e kundërta komplet e mitit, që tenderat merren me çmimet më të larta dhe këto 960 milionë euro ndahen mes hajdutëve të rilindjes. Jo, këto 960 milionë euro janë të shkruara, janë aty vit pas viti, në arkën e shtetit”, tha Kryeministri.

Rama iu përgjigj po ashtu edhe pretendimeve se “çdo tender është një vjedhje, se prokurimet publike janë farsë dhe çdo fond publik bëhet para në dysheqeve dhe kthehet në vila për të korruptuarit”.

“Dokumenti i diagnozës të detajuar të KE-së, nga procesi screening vlerëson zhvillimet pozitive që ka sjellë shkalla e lartë e përafrimit me BE-në dhe përdorimi i sistemeve elektronike në prokurimin publik. Fusha e prokurimit publik në Shqipëri ka vlerësim maksimal në raportin e fundit të SIGMA-s një raport reference për KE-në dhe Shqipëria vlerësohet me pikët më të larta në gjithë rajonin”, theksoi Kryeministri.

Rama solli në vëmendje fakte dhe shifra konkrete mbi Prokurimet Publike, ndërsa vuri në dukje se në vitet 2009-2012 që filloi çalë-çalë prokurimi elektronik, numri mesatar i operatorëve ekonomikë që fitonin tendera publikë ishte rreth 1 mijë.

“Në 10 vitet e fundit ky numër është 2500 në vit, ose 2 herë e gjysmë më i lartë. Kur është më i hapur, më i drejtë sistemi i garave për fondet publike? Kur fitojnë vetëm 1 mijë kompani apo kur fitojnë 2500 kompani mesatarisht në vit? Në vitin zgjedhor 2013 ata që morën tendera nuk ishin 1 mijë por ishin 2700 kompani. U hap diga e kontrollit korruptiv, u lanë më shumë fitues falë shpresës së kotë që do të kënaqnin edhe ata që i trajtonin e skualifikonin sipas qejfit, që të merrnin pushtetin”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “jo vetëm pse u rrit ekonomia dhe u zgjerua biznesi, por edhe sepse u ul korrupsioni dhe u zgjeruan rrugët e konkurrencës, në këto 10 vite janë shtuar 6061 kompani të reja fituese tenderash me fonde publike”./ata