Në drejtimin e kryetarit Nasip Naço Komisioni për Sigurinë Kombëtare në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi mori në shqyrtim projektligjin “Për ratifikimin e Konventës Lubjanë – Hagë për Bashkëpunimin Ndërkombëtar për Hetimin dhe Ndjekjen Penale të Krimit të Gjenocidit, Krimeve kundër Njerëzimit, Krimeve të Luftës dhe Krimeve të Tjera Ndërkombëtare”. I ftuar për të prezantuar projektligjin ishte Tedi Dobi zëvendësministër në ministrinë e Drejtësisë.
Dobi gjatë fjalës në prezantimin e tij shpjegoi se, në seksionin XII të Asamblesë së shteteve palë të Statutit të Romës, në datat 20-28 nëntor 2013, 77 shtete me një deklaratë të përbashkët vendosën nismën ndërkombëtare për hapjen e negociatave për një traktat shumëpalësh për ndihmë juridike të ndërsjellë dhe ekstradim në Prokurorinë Vendore të Krimeve e Mizorive, krimet e gjenocidit, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës.
“Në kushtet kur aktualisht përballemi me krimet kundër gjenocidit, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës, të cilat nuk janë të parashikuara në akte ndërkombëtare aktuale, si dhe mënyrave të reja të komunikimit, teknikave të kryerjes së hetimeve etj, u vendos hartimi i një konvente, ku të përfshihen krimet në fushën e zbatimit të këtyre akteve” sqaroi zëvendësministri Dobi.
Në cilësinë e relatores Pranvera Resulaj shtoi se, Konventa ka integruar në përmbajtje të saj parashikime nga një sërë aktesh ndërkombëtare në të cilat Republika e Shqipërisë është pjesë në të shumtën e tyre. Resulaj nënvizoi se projektligji është në përputhje me politikat e Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, sa i takon angazhimit në mënyre intensive në konsolidimin dhe lehtësimin e procedurave të bashkëpunimit gjyqësor ndërkombëtar.
Në përfundim anëtarët miratuan në parim nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë./ata