Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj mori pjesë në takimin mbi Bankingun e Hapur (Open banking), organizuar në Tiranë nga institucionet bankare.

Ibrahimaj bën me dije se, gjatë takimit diskutuan për implementimin e “Open Banking”, një sistem inovativ që do të shtyjë individët dhe bizneset të përdorin mënyrën digjitale të aksesit në shërbimet e ofruara nga kjo industri.

Sipas saj, Ministria e Sipërmarrjes dhe Klimës së Biznesit është angazhuar prej muajit nëntor në këtë çështje, duke dëgjuar dhe adresuar kërkesat dhe problematikat e shtruara nga palët e përfshira.

Gjatë fjalës së saj, Ibrahimaj theksoi se, përqafimi i këtyre lloj teknologjive të reja dhe zgjidhjeve digjitale është thelbësor për nxitjen e rritjes ekonomike, rritjen e efikasitetit dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët dhe bizneset.

Në takim morën pjesë Endrit Yzeiraj, zëvendësministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit; Luljeta Minxhozi, zëvendësguvernatore e Parë e Bankës së Shqipërisë; Mirlinda Karçanaj, drejtore e përgjithshme e AKSHI; Ervin Koçi, drejtor i përgjithshëm i Agjencisë së Inteligjencës Financiare, si dhe përfaqësues të biznesit dhe institucioneve të linjës.
 
Gjatë aktivitetit u trajtuan temat kryesore, duke përfshirë autoritetin certifikues, që do të ofrojë shërbimin e certifikatave të kualifikuara për banking të hapur./ata