U zhvillua në Tiranë dëgjesa e dytë publike e organizuar në kuadër të përgatitjes dhe hartimit të Planit të Menaxhimit të Parkut Arkeologjik të Bylisit dhe qytetit antik të Klosit. Plani i Menaxhimit financohet nga projekti IPA “BE për Zhvillimin Ekonomik drejtuar nga turizmi, zhvillimi ekonomik dhe vendor, me fokus mbi Trashëgiminë Kulturore”, i cili zbatohet nga Agjencia Italiane e Bashkëpunimit për Zhvillim (AICS), Tiranë, nën kujdesin e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

Ky plan synon rritjen dhe ruajtjen, përdorimin dhe atraksionin e aseteve të trashëgimisë kulturore në qytetet antike të Bylysit dhe Klosit.

Në këtë dëgjesë të dytë u diskutua mbi objektivat e menaxhimit dhe aktivitetet kryesore të propozuara, të tillë si:

Ruajtja dhe Restaurimi i trashëgimisë kulturore;

Përmirësimi i aksesueshmërisë, infrastrukturës civile dhe përmirësimi i qëndrueshmërisë së pasurisë dhe trashëgimisë kulturore;

Aktivitete të zhvillimit ekonomik lokal;

Zbatimi i administrimit të vlerave të trashëgimive kulturore, etj.

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit bëri të ditur se mirëpret të gjitha sugjerimet dhe rekomandimet, të cilat do të trajtohen dhe shqyrtohen në vazhdim me gjithë kujdesin e nevojshëm.

E pranishme gjatë kësaj dëgjese, deputetja e PD-së, Ina Zhupa është shprehur: “Kundër një koncesioni për Bylisin dhe pro një menaxhimi ku shteti shqiptar ka menaxhimin dhe studiuesit shqiptar kanë drejtimin”.

Zhupa kërkoi “transparencë për fondet e Bashkimit Europian dhe larg duart të klientëve të zakonshëm që kanë vënë sytë te trashëgimia kulturore”./ata