Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu mori pjesë në takimin me anëtarët e Këshillit të Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor (KALKSH).

Gjatë takimit u prezantua drafti i pr/ligjit “Për shkencën në Republikën e Shqipërisë”, i hartuar me kontributin e ekspertëve vendas dhe ndërkombëtarë në mbështetje.

“Ky projekt-ligj synon të krijojë kushte për më shumë mundësi për zhvillimin e shkencës dhe kërkimit shkencor në vendin tonë, të bashkërendojë dhe orientojë kapacitetet ekzistuese”, theksoi Manastirliu.

Ministrja Manastirliu vuri në dukje se “pr/ligji synon të nxisë gjithashtu të rejat në shkencë, bazuar në kornizën e re të organizimit të institucioneve të kërkimit shkencor, personelit të kërkimit shkencor dhe modelit të financimit të tyre”.

Ligji i ri për Shkencën synon që t’i japë një frymë të re dhe bashkëkohore kërkimit shkencor, duke e përafruar me legjislacionin e BE-së dhe duke reflektuar zhvillimet e kohës, duke synuar zhvillimin e qëndrueshëm të vendit dhe rritjen e mirëqenies sociale, ngritjen e kapaciteteve të personelit shkencor; Fuqizimin e lidhjeve ndërkombëtare me zonën evropiane të kërkimit; rritjen e përdorimit të infrastrukturës kërkimore shkencore; nxitjen e bashkëpunimit midis institucioneve të kërkimit shkencor, biznesit, institucioneve publike, shoqërisë civile, si dhe palëve të tjera të interesuara në veprimtari kërkimore shkencore dhe inovacion./ata