Prefekti i qarkut të Korçës, Nertil Jole i kërkoi sot të gjithë institucioneve përgjegjëse marrjen e masave të nevojshme për miradministrimin e zonave të mbrojtura në këtë prag të fillimit të sezonit veror.

Në takimin e parë për këtë vit të Komitetit të Menaxhimit të Zonave të Mbrojtura Mjedisore, ku ishte e pranishme edhe drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, Daniel Pirushi, u ndanë mendime dhe ide sa i takon perspektivës së administrimit të zonave të mbrojtura, në kuadër edhe të risive të reja që sjell ligji “Për Zonat e Mbrojtura”, i amenduar në fillim të këtij viti.

Jole u shpreh se biseduam për vendosjen e një ekuilibri të rishikuar midis zonave të mbrojtura e nevojës që kanë komunitetet dhe pushteti vendor për zhvillimin ekonomik të territoreve të tyre, si dhe për një riformulim e qartësim të aktiviteteve të lejuara në zonat e mbrojtura.

Gjatë takimit, vijoi Jole, diskutuam disa problematika të konstatuara në zonat e mbrojtura, siç është prerja e paligjshme e pyjeve, nevoja për një menaxhim të plotë të mbetjeve, rivitalizimin e monumenteve të trashëgimisë kulturore si asete që rrisin atraksionet turistike të qarkut, ndalimin e gjuetisë së paligjshme apo peshkimit abuziv në pellgun ujëmbledhës të Prespës apo Liqenin e Pogradecit, si dhe mobilizimin e çdo strukture për administrimin sa më efikas të situatave që krijohen nga zjarret.

Gjithashtu, Jole bisedoi me drejtoreshën e AKZM  Pirushi dhe drejtorin e AdZM Korçë, Gjergji Koki edhe për domosdoshmërinë e hartimit të planeve të menaxhimit për zona të tjera të shpallura të mbrojtura, siç është Bredhi i Hotovës, Gërmenj dhe Lugina e lumit Vjosë në Kolonjë, Cangonj në Devoll dhe Lugina e Gjergjevicës në Korçë.

“Synimi i hartimit të instrumenteve të tillë është nxitja e zbatimit të modeleve të qëndrueshme të zhvillimit ekologjik dhe ekonomik në zonat e mbrojtura apo parqet kombëtare, ruajtja e ekosistemit e diversitetit biologjik, si dhe reduktimi i presionit jo të qëndrueshëm apo abuziv mbi burimet natyrore”, tha Jole./ata