Zëvendëskryeministrja dhe ministre e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku u shpreh sot se, nënstacionet e integruara janë tashmë çelësi i suksesit për sa i përket investimeve në kapacitetet e energjisë elektrike.

Balluku solli në vëmendje rastin e nënstacionit të Kuçovës, ku Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST) ka investuar duke përmirësuar parametrat teknikë, si dhe ka rritur sigurinë e furnizimit me energji elektrike.

Balluku tha se, falë investimeve të reja, pajisjet e vjetra, të cilat ishin prodhime të viteve ’50 – ’60, janë zëvendësuar dhe janë instaluar panele të reja të komandimit dhe mbrojtjes.

Sipas saj, tashmë është radha e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) për të vijuar me investimet në këtë nënstacion, për të arritur parametrat e kërkuar edhe për uljen e humbjeve.

“Deri më 31 dhjetor të vitit 2024, duhet të kapin targetin e vendosur nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë prej 17.96% humbje teknike”, deklaroi Balluku./ata