Sipas të dhënave fillestare të publikuara nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) i Maqedonisë së Veriut, në bazë të 99,89 për qind të votave të numëruara, në zgjedhjet presidenciale kandidatja e VMRO-DPMNE-së, Gordana Siljanovska-Davkova ka arritur të sigurojë mbi 65 për qind të votave ndërsa Stevo Pendarovski nga radhët e LSDM-së ka grumbulluar rreth 29 për qind të votave.
Në bazë të këtyre të dhënave, Siljanovska-Davkova, e cila do të jetë presidentja e parë grua e vendit, arriti të grumbullojë 560.717 vota ndërsa Pendarovski 251.746 vota.
Numri i fletëvotimeve të pavlefshme në zgjedhjet e mbajtura dje është 48.258.
Sipas të dhënave fillestare të publikuara në faqen e KSHZ-së, nga gjithsej 1.814.317 votues, në zgjedhje kanë marrë pjesë 860.721 persona apo 47,46 për qind nga numri i votuesve. Me këtë, është arritur kushti i pjesëmarrjes prej 40 për qind, në mënyrë që zgjedhjet të konsiderohen të vlefshme.
- Dalje më e lartë e votuesve në zgjedhjet parlamentare
Për sa i përket zgjedhjeve parlamentare, ku kandidatët garuan për 120 ulëset e shtëpisë ligjvënëse, KSHZ-ja njofton se nga 99,6 për qind të votave të numëruara, VMRO-DPMNE-ja ka siguruar 58 mandate të deputetëve, koalicioni Fronti Evropian 19 mandate, LSDM-ja 18 mandate, koalicioni VLEN 13 mandate, Partia e Majtë (Levica) 6 mandate si dhe Lëvizja ZNAM 6 mandate.
Dalja e votuesve në zgjedhjet parlamentare ka qenë më e lartë në krahasim me zgjedhjet presidenciale. Gjithsej 997.596 persona apo 55,36 për qind e votuesve kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre të votës në zgjedhjet parlamentare.
- Presidenti aktual pranoi humbjen, opozita feston fitoren
Presidenti aktual, Stevo Pendarovski mbrëmë pranoi humbjen dhe uroi opozitën për fitoren e dyfishtë.
Kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski mbrëmë deklaroi se fitoi Maqedonia dhe se kjo është një fitore historike e popullit. Ai tha se së shpejti do të nisë negociatat me partitë e tjera opozitare për të formuar "koalicionin dhe qeverinë më të mirë".
KSHZ-ja pritet që gjatë ditës të miratojë rezultatet preliminare të zgjedhjeve të djeshme.
Më pas, partitë garuese kanë të drejtë të paraqesin ankesa në KSHZ për procedurën e votimit në afat prej 48 orëve pas përfundimit të votimit dhe ankesa për procedurën e përmbledhjes dhe përcaktimit të rezultateve brenda 48 orëve pas shpalljes së rezultateve fillestare./aa