Numri i personave që humbën jetën nga tërmeti në Siri është rritur në 3.688 ndërsa numri i të lënduarve në 14.749, raporton Anadolu.

 

Në Siri, e cila u godit nga tërmetet me magnitudë 7.7 dhe 7.6 ballë, epiqendra e të cilave ishte KahramanmaraÅŸi, vazhdojnë shpëtimet dhe heqja e rrënojave në provincat Idlib, Halep, Hama, Latakia dhe Tartus.

 

Sipas informacionit të gazetarit të AA-së në terren të marrë nga Rrjeti Sirian për të Drejtat e Njeriut (SNHR), Mbrojtja Civile (Helmetat e Bardha), autoritetet lokale, organizatat shëndetësore dhe burimet lokale, mësohet se të paktën 2.274 persona humbën jetën ndërsa më shumë se 12.400 të tjerë u lënduan në rajonet e Idlibit, "Mburojës së Eufratit" dhe në rajonin e "Degës së Ullirit".

 

Shumë ndërtesa u shkatërruan ose u dëmtuan në zonat e kontrolluara nga opozita në veri të Sirisë.

 

Sipas agjencisë së lajmeve të regjimit të Asadit, SANA, 1.414 persona humbën jetën dhe 2.349 persona u plagosën nga tërmeti në rajonet nën kontrollin e regjimit në provincat Halep, Latakia, Hama dhe Tartus. Sipas kësaj, numri i viktimave në Siri e cila u prek nga tërmetet me qendër KahramanmaraÅŸ, u rrit në 3.688 dhe numri i të lënduarve në 14.749.

 

Të lënduarit trajtohen në qendrat shëndetësore. Mijëra të mbijetuar nga tërmeti, shtëpitë e të cilëve u shkatërruan ose u dëmtuan, e kalojnë natën në rrugë, në xhami ose në tenda të improvizuara./AA