Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani tha sot, duke iu referuar rezultatit të zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut se e ardhmja e përbashkët është Bashkimi Europian.
Sipas tij, rezultati i arritur nga shqiptarët në Maqedoninë e Veriut është një rezultat historik për të ardhmen bashkëjetesës mes etnieve, feve e kulturave në harmoni dhe respekt të ndërsjellë.
“Përshëndes rezultatin historik të shqiptarëve në zgjedhjet e 8 Majit 2024 në Maqedoninë e Veriut. Për të gjithë ne, e tashmja ka vetëm një emërues të përbashkët: bashkëjetesën mes etnive, feve e kulturave në harmoni e respekt të ndërsjellë. E ardhmja lëviz vetëm në një kah: drejt Bashkimit Europian dhe familjes së vendeve demokratike“, shkruan Hasani në rrjetet sociale.
Në zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut u shpall fituese VMRO DPMNE-ja si në balotazhin për kreun e shtetit, ashtu edhe në zgjedhjet për Parlamentin e ri.
Nga partitë shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) mori 18 mandate. Koalicioni i opozitës shqiptare, VLEN, arriti të sigurojë 13 mandate, ndërsa të tjerat u ndanë mes partisë E Majta dhe lëvizjes ZNAM./ata