Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin dhe kryeministri i Armenisë, Nikol Pashinyan diskutuan në Moskë për çështjet lidhur me sigurinë rajonale.

Në një deklaratë nga Pallati i Kremlinit thuhet se Putin dhe Pashinyan u takuan pas Samitit të Bashkimit Ekonomik Euroaziatik (EAEU).

Putin tha se i kushtojnë rëndësi bashkëpunimit ekonomik. "Vëllimi i tregtisë reciproke të Armenisë me vendet e EAEU-së është rritur 14 herë. Marrëdhëniet dypalëshe po zhvillohen në mënyrë të suksesshme. Vëllimi tregtar reciprok tejkaloi 7 miliardë dollarë. Një shifër e tillë nuk është vërejtur më parë në marrëdhëniet tona tregtare dhe ekonomike. Përveç rritjes së vëllimit tregtar ka dhe çështje që lidhen me sigurinë e rajonit", thuhet në deklaratë.

Kryeministri armen Pashinyan potencoi rëndësinë e marrëdhënieve dypalëshe dhe rajonale. "Për herë të fundi u takuam në dhjetor të vitit të kaluar. Që nga ajo ditë janë grumbulluar çështje të cilat duhen diskutuar", tha ai./aa