Përfaqësuesi i përhershëm i Izraelit në OKB, Gilad Erdan tha se pasi presidenti amerikan Joe Biden reagoi ndaj sulmit tokësor të Izraelit në Rafah, hebrenjtë amerikanë "do të ngurrojnë" të votojnë për Bidenin.
Duke folur për televizionin shtetëror izraelit KAN, Erdan reagoi ndaj deklaratës së Bidenit se do të ndalonte dërgimin e armëve në Izrael, nëse ushtria izraelite hyn në Rafah me një sulm në shkallë të gjerë.
Erdan tha se deklarata e Bidenit ishte "zhgënjyese" dhe argumentoi se presioni ndaj Izraelit do të kënaqte vetëm armiqtë e tij. "Ka shumë hebrenj amerikanë që votuan për presidentin (Biden) dhe Partinë Demokratike dhe ata tani janë në mëdyshje", tha ai.
Presidenti amerikan Biden ka njoftuar se do të ndalojë dërgimin e armëve në Izrael nëse ushtria izraelite do të hynte në Rafah me një sulm në shkallë të gjerë.
Ai tha se e kanë paralajmëruar Izraelin kundër nisjes së një sulmi gjithëpërfshirës tokësor në Rafah shumë herë më parë. Biden thekson se ai e ka thënë qartë këtë në takimin e tij të fundit me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu.
"Nëse ata hyjnë në Rafah, nuk kanë hyrë ende (me një sulm gjithëpërfshirës), nëse hyjnë atëherë e kam bërë të qartë se nuk do të dërgojmë armët në Rafah dhe qytete të tjera", tha Biden.
Në deklaratën e saj më 6 maj, ushtria izraelite kërkoi evakuimin e disa lagjeve në lindje të qytetit jugor të Rafahut, ku u strehuan 1.5 milionë palestinezë të zhvendosur me forcë dhe njoftoi se e kishte pushtuar pikën kufitare me Egjiptin në anën e Gazës./aa