Një ndërhyrje e vështirë kirurgjikale është kryer nga mjekët e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Një 62-vjeçar mbërriti nga spitali i Fierit i shoqëruar me ambulancë me urgjencë në gjendje të rëndë dhe me tension të ulët.

 

Mjekët shpjegojnë se ai duhej t’i nënshtrohej një operacioni urgjent pasi rezultoi me aneurizëm të aortës abdominale.

 

Kirurgu Sokol Xhepa e sheh suksesin tek reagimi i shpejtë dhe bashkëpunimi i të gjitha strukturave shëndetësore.

 

“Ky rast përfaqëson koordinimin e dy gjërave që ecin në drejtim të kundërt. E para gjëndja e shumë e rëndë e pacientit në ardhje, që u diagnostikua menjëherë në radiologji. E dyta reagim i urgjencës dhe krirurgjisë vaskulare. Nëse nuk do ishte shpejtësia ky rast nuk do të kishte sukses”-tha Xhepa.

 

Familjarët thonë se nuk kishin shpresa por pas operacionit që zgjati 4 orë u befasuan.

 

“Babai erdhi në minutat e fundit. Nuk kishim pritshmëri. E tillë ishte gjendja. Ka qenë një reagim në kohë rekord. Pritshmëritë ishin të ulëta por mbaj mend fytyrat e mjekëve kur kanë dalë na operacioni, ishin të djersitur por ndodhi mrekullia. Kjo është mrekulli”, tha e vajza e tij.