Rodi Barçi, është 32- vjeçari nga Tirana që ka dhënë dëshmi i shoqëruar nga policia në lidhje me ngjarjen ku u dhunua shtetasja keniane Joi Aoko, që më pas humbi edhe jetën.

Ai ka qëndruar për disa orë në polici dhe ka folur për grupin e hetimit në lidhje me gjithçka ai di për atë ngjarje, por pa pranuar asnjë akuzë që ka të bëjë me historinë e 22- vjeçares. Policia dhe Prokuroria janë treguar të rezervuara në lidhje me dëshminë e tij, por ai u la i lirë, për tu ripyetur sërish në kuadër të hetimeve intensive që ka marrë më në fund prokuroria e Tiranës. Përpos tij është një listë me disa persona, që kanë pasur dijeni mbi praninë e viktimës në punë dhe jashtë saj që do të dëshmojnë, por që deri më tani nuk ekziston asnjë urdhër-arrest. Policia dhe Prokuroria ende nuk e kanë të qartë, edhe pse kanë kaluar më shumë se 6 muaj nga jo ngjarje nëse është dhunim, tentativë vrasjeje apo vetëvrasjeje, por kanë treguar se po presin edhe aktin mjekoligjor për të parë shkaqet reale të vdekjes së të resë.

 

DËSHMIA

 

Shoferi i kazinosë ku punonte 22-vjeçarja nga Kenia Joy Aoko u la i lirë nga policia disa orësh pas dhënies së dëshminë e tij në lidhje me dyshimet e hetuesve se mund të ketë gisht në rrahjen dhe dhunimin e të resë, e cila pas disa muajsh në koma humbi jetën në një spital në Kenia. Rodi Barçi, 32 vjeç, ka deklaruar se ka qenë i lidhur me Joy-n, por në momentin kur ka ndodhur ngjarja, kanë qenë të ndarë dhe nuk kishin më lidhje me njëri tjetrin.

 

Togat e zeza lëshuan gjithashtu edhe disa urdhra për t’u marrë në pyetje, krahas të cilit u pyet për herë të dytë edhe shoqja e viktimës, Emily Mutua. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se mikja e kenianes ka dhënë disa detaje të reja për policinë, që mund të hedhin dritë në misterin e çështjes së Joy-t. Aktualisht, hetuesit i konsiderojnë sekret hetimor deklarimet e Emily, të cilat do të verifikohen.

 

Mamaja e të resë nga Kenia, Ruth Abongo, tha në një intervistë për mediat se 4 ditë para ngjarjes së rëndë se vajza kishte udhëtuar me 32- vjeçarin Rodi Barçi, në Durrës. Sipas nënës së vajzës, shoferi i kishte qëndruar shumë pranë, sjellje e cila s’i kishte pëlqyer të resë. Pak ditë më parë janë marrë në pyetje edhe persona të tjerë me të cilët vajza 22-vjeçare punonte në kazino. Në pyetje, si persona që mund të kenë dijeni për rrethanat e ngjarjes janë marrë një pjesë e stafit dhe drejtues të kazinosë ku janë verifikuar edhe procedurat e ndjekura për punësimin e kenianes. Joy Aoko nga Kenia, dyshohet se është dhunuar brutalisht dhe është hedhur nga banesa në të cilën jetonte në Tiranë, e si pasojë e plagëve të rënda humbi jetën disa muaj pas qëndrimit në spital.

 

 

Deri më tani, askush nuk është arrestuar në lidhje me rastin, por policia pretendoi se ata janë në ndjekje të autorëve. 22-vjeçarja keniane prej 14 gushtit ndodhej në koma e shtruar në spitalin e Traumës me brinjë e kocka të thyera, lëndime në dorë e stomak dhe dëmtime në tru. Dyshohet se 22-vjeçarja është hedhur nga ballkoni i dhomës së pallatit ku qëndronte, dhe denoncimin në polici e bëri nga një prej shoqeve. E reja punonte në një kazino të Tiranës ku jetonte prej kohësh së bashku me disa shoqe të saj gjithashtu nga Kenia. Nëna e vajzës keniane, që jetonte në Tiranë me disa shoqe të saj, u njoftua nga kompania e kazinosë që vajza e saj kishte përfunduar në spital. Sipas saj vajza u kishte treguar shoqeve se përndiqej nga një shofer taksie, i cili vazhdimisht i kërkonte të krijonin raporte intime.

 

Pas shoferit të kazinosë, pyetet shoqja e kenianes

 

Nën hetim lëvizjet e fundit të 22-vjeçares Joy Ayoko. Policia e Tiranës mori në pyetje shoqen e dhomës së 22-vjeçares Joy Ayoko, e cila dyshohet se u dhunua dhe hodh nga dritarja e dhomës së hostelit ku jetonte në Gusht të 2022. E reja humbi jetën disa ditë më parë në vendlindjen e saj, pasi qëndroi 6 muaj në koma. Hetuesit e krimeve të rënda, kërkuan të dinin më shumë të dhëna për kontaktet që e reja kishte pasur me të dhe mënyrën se si shoqja e saj kishte konstatuar ngjarjen e rëndë. Ishte pikërisht ajo që të nesërmen gjeti trupin e shoqes së saj pranë banesës.

 

Një ditë më parë në pyetje për këtë ngjarje u rimor edhe shoferi i kazinosë ku punonte viktima, Rodi Braçi, 32 vjeç. Ai dyshohet të jetë një nga kontaktet e fundit që keniania ka pasur mbrëmjen kur ndodhi ngjarja. Hetimet kanë treguar se 32-vjeçari e ka lënë atë në hotelin ku strehoheshin ajo dhe disa vajza të tjera me nënshtetësi të huaj që punonin në një kazino në Tiranë. Në deklarimet e tij fill pas ngjarjes shoferi ka mohuar të ketë pasur konflikte mes tij dhe 22-vjeçares. Të njëjtin qëndrim mësohet të ketë mbajtur edhe këtë të shtunë përpara grupit hetimor. 6 muaj pas ngjarjes së rëndë, Policia dhe Prokuroria ende nuk ka një përgjigje se çfarë ka ndodhur me të renë. Grupi hetimit është në pritje të disa akt ekspertime të kërkuara me shpresën se do ndihmojnë në sqarimin e ngjarjes, e cila mbetet e veshur me mister. Një prej pistave ku hetuesit kërkojnë të gjejnë prova është ekspertimi i celularit të viktimës, me qëllim nxjerrjen e kontakteve të saj të fundit.

 

Letërporosia në drejtim të Kenias

 

Prokuroria e Tiranës ka dërguar letërporosi prokurorisë së Kenias dhe i ka kërkuar që t’i vërë në dispozicion autopsinë që i është bërë 22-vjeçares në morgun e spitalit ku ajo ndërroi jetë. Kjo kërkesë vjen në kuadër të hetimeve të prokurorisë së Tiranës për vdekjen e Joy Ayoko. 22-vjeçarja u largua nga Shqipëria më 25 janar të këtij viti, drejt vendlindjes për t’u mjekuar në spitalin Kenyatta, në Kenia. Joy u largua nga Spitali i Traumës në “half coma”, pra gjysmë koma, e pavetëdijshme dhe ndërroi jetë në Kenia.

 

Kujtojmë se që prej 14 gushtit të vitit 2022 vajza nga Kenia u shtrua për kurim në spitalin e Traumës, pasi u dhunua brutalisht dhe u hodh nga kati i dytë i banesës ku jetonte në rrugën “Pandeli Evangjeli” në Tiranë, megjithëse ngjarja është ende e mbuluar me mister. Rasti i dhunimit të 22-vjeçares solli në Tiranë edhe përfaqësues të ambasadës keniane në Itali. Ata diskutuan me nënën e Joy, mjekët që kujdesen për të renë në spital dhe më pas u takuan me efektivët e policisë që po hetojnë ngjarjen, të cilët i kanë çuar në banesën ku ndodhi dhunimi brutal i 22-vjeçares./Panorama